Nga Prof. Dr. Xhavit LIPAJ, Zürich
Hija, nuk qëndron.
Ajo rrëshqet në një kah
që hapësira nuk e ka mësuar ende.
Unë, e unë.
Një fragment i vetes që s’e njeh më burimin,
një tingull pa tingull,
një gjurmë që paraprin këmbën.
Këtu, ku drita s’e di se është dritë,
hija bëhet diçka më e hollë se mendimi,
më e rëndë se kuptimi,
më e lehtë se ekzistenca.
Nuk ka kalim.
Ka një çarje të heshtjes
që rrudhet brenda vetes
pa u lëvizur.
Unë futem në çarje
si rrezja që kthehet prapa
te burimi i së padukshmes.
Aty brendia ime bie jashtë,
jashtësia ime bie brenda.
Nuk ka më “ku”.
Hija ime më del përpara,
në një formë që nuk pranon formë.
Një përpjekje për të qenë hije
pa objekt,
pa dritë,
pa arsye.
Unë e preki me dorën
që nuk është dorë,
se prekja nuk ndodh.
Ajo vetëm regjistrohet
nga diçka që nuk ka emër.
Ta kaloj hijen time
do të thotë të mos ketë më “ta”,
as “kaloj”,
as “hije”,
as “time”.
Vetëm një shkundje e lehtë e universit
në pikën ku ai kujton se është i vazhdueshëm.
Në atë dridhje,
hija shpërhapet në grimca
që s’kanë më drejtim.
Unë shndërrohem në një qenie
që nuk mban dot vetveten
si koncept.
Heshtja rrotullohet.
Pika zhvendoset.
Qenia hiqet.
Dhe aty, në atë mos vend
unë e kaloj hijen time,
se asnjëra prej nesh,
nuk është më në gjendje të qëndrojë.
Vetäm kështu…
Dhjetor, 2025




