Në prag të përballjes vendimtare ndaj Polonisë në Varshavë, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka dalë përpara mediave me një mesazh të qartë: kjo sfidë është më shumë se një ndeshje – është një “finale” për rrugëtimin drejt Botërorit 2026.
Tekniku kuqezi vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke theksuar forcën e tyre në tranzicion dhe eksperiencën në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, Polonia, nën drejtimin e trajnerit Jan Urban, mbetet një skuadër e rrezikshme që mund të ndëshkojë çdo gabim.
“Polonia nuk dominon gjithmonë në mbajtjen e topit, por është shumë e fortë në tranzicion. Kanë treguar paraqitje të mira edhe ndaj skuadrave të mëdha si Holanda. Janë të mësuar me ndeshje të nivelit të lartë në Europian dhe Botëror,” u shpreh Sylvinho.
Trajneri foli edhe për alternativat në skuadër, duke përmendur lojtarë si Ernest Muçi dhe Arbnor Mehmeti, për të cilët tha se janë të gatshëm të japin kontributin e tyre nëse aktivizohen.
Duke reflektuar mbi progresin e ekipit, Sylvinho theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj gjatë tre viteve të fundit, duke fituar eksperiencë si në UEFA Euro 2016 ashtu edhe në UEFA Euro 2024.
Megjithatë, përtej analizave taktike dhe statistikave, një fjali e trajnerit tërhoqi vëmendjen: “A do fle sonte? Kam dy muaj që nuk fle gjumë.”
Kjo deklaratë tregon qartë presionin dhe përkushtimin maksimal që ai dhe skuadra ndjejnë për këtë sfidë, e cila mund të përcaktojë fatin e Shqipërisë në rrugën drejt Kupës së Botës 2026.
Në Varshavë, kuqezi do të kërkojnë të shkruajnë historinë – dhe për Sylvinhon, kjo është vetëm fillimi i një beteje që vlen sa një finale, transmeton euronewsal, përcjell helveticALForum.ch




