Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit që pinë kafe çdo ditë mund të jetojnë deri në pesë vjet më gjatë se ata që e shmangin atë. Gjithashtu studimi thekson se pirja e deri në katër filxhanëve në ditë duket se ngadalëson plakjen biologjike.
“Me moderim, konsumi i kafesë mund të ketë një efekt pozitiv, por në doza të mëdha ka efektin e kundërt. Konsumi i kafesë deri në limitin e rekomanduar ditor shoqërohej me një moshë biologjike pesë vjet më të re krahasuar me ata që nuk pinë kafe”, thanë autorët e studimit.
Studimi, i botuar në revistën BMJ Mental Health shqyrtoi në mënyrë specifike efektet e kafesë në plakjen tek njerëzit me sëmundje të rënda mendore, duke studiuar gjatësinë e telomereve të tyre. Ndërsa plakemi, telomeret shkurtohen -por ky proces përshpejtohet tek njerëzit me çrregullime serioze psikiatrike, të tilla si psikoza, skizofrenia dhe çrregullimi bipolar.
Studimi përfshinte 436 të rritur nga programi norvegjez i psikozës TOP (Psikozë e Organizuar Tematikisht). Nga këta, 259 kishin skizofreni, ndërsa 177 të tjerët kishin çrregullim bipolar ose depresion të madh me psikozë. Pjesëmarrësit u ndanë në katër grupe, varësisht nga konsumi i tyre i përditshëm i kafesë: asnjë, një deri në dy filxhanë, tre deri në katër dhe pesë ose më shumë.
Duke përdorur mostra gjaku, studiuesit matën gjatësinë e telomereve në qelizat e bardha të gjakut dhe zbuluan se ata që pinin katër gota në ditë kishin telomere dukshëm më të gjata, të krahasueshme me një moshë biologjike pesë vjet më të re se ata që nuk pinin.
Studiuesit ia atribuojnë përfitimet e mundshme kundër plakjes së kafesë substancave të saj të fuqishme antioksiduese dhe anti-inflamatore, transmeton euronewsal.




