Mijëra studentë shqiptarë protestuan në Shkup duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa me thirrjet “Gjuha shqipe nuk negociohet” dhe “Respektoni Kushtetutën”, ata shprehën pakënaqësinë ndaj institucioneve dhe kërkuan dorëheqjen e ministrit të drejtësisë
Ersan PAJAZITI
Shkup, 6 prill – Me moton “Respekto ligjin për gjuhët, respekto kushtetutën”, mijëra studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, protestuan në Shkup, ndërsa kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Studentët protestën e tyre e filluan nga Ura e Gurit, ndërsa marshuan deri te Ministria e Drejtësisë. Duke shprehur revoltën e tyre që nuk po u mundësohet të jepet provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe, studentët kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit Igor Fillkov. “Ne flasim shqip, gjuha shqipe nuk negociohet, gjuha shqipe është zyrtare, drejtësi, barazi, nuk ka shtet pa rininë. Zëri ynë nuk do të ndalet, Igor Fillkov dorëheqje”, brohorisnin studentët.
Në fjalimin para Ministrisë së Drejtësisë, studenti Mevlan Ademi theksoi se është absurde që në vitin 2026, studentëve shqiptarë tu mohohet e drejta për të dhënë provime në gjuhën shqipe. Ai theksoi se gjuha shqipe është një gjë e shenjtë për ta, prandaj edhe nuk do të tërhiqen derisa të fitojnë këtë kauzë.
“Kjo protestë nuk duhej të ndodhte kurrë, nuk duhej të mendohej që studentët në vitin 2026 të dilnin në rrugë për të drejtat e tyre, por ja ku jemi. Por para se të jemi studentë, para se të jemi profesionistë, ne jemi shqiptarë dhe kur preket gjuha, preket vet themeli ynë. Gjuha shqipe nuk është mënyra si flasim, është mënyra si kemi mbijetuar dhe si kemi ardhur deri këtu. Shqipja kurrsesi nuk negociohet, ne jemi studentë të drejtësisë, ne jemi ata që nesër mbrojnë ligjin, por ne jemi këtu për të kërkuar diçka që ligji vetëm e njeh, të drejtën për të përdorur gjuhën tonë amtare. A është kjo shumë? Kjo është baza. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Dhe t’ju jetë e qartë të gjithëve, ne nuk jemi kundër askujt, ndoshta kundër Fillkovit. Ne jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë. Sot ne kërkojmë që shteti të na flet me zemër, në gjuhën tonë, në shqip”, theksoi njëri ndër organizatorët e protestës dhe nismës për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, Mevlan Ademi.
Ademi më tej tha se studentët nuk do të tërhiqen derisa shteti të fillojë të respektojë Kushtetutën dhe të drejtën për të përdorur gjuhën shqipe. “Sot jemi këtu të qetë, të vendosur, të bashkuar dhe nuk do të lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion, sepse shqipja nuk është opsion, por është identitet. Sot nga ky shtet themi diçka. Nuk ka barazi pa shqipen, nuk ka të ardhme pa shqipen, dhe ne jemi këtu për këtë, sepse ne jemi brezi që nuk heshtim, jemi brezi që nuk dorëzohemi, jemi brezi që flet dhe mendon shqip. Ne nuk do të ndalemi derisa e drejta të bëhet realitet”, theksoi Ademi.
Kryetari i Unionit Studentor i UNT-së, Besar Sejdiu, ju falënderua edhe qytetarëve që sipas tij nuk i kanë lënë vetëm studentët në betejën tonë për gjuhën shqipe. “Kërkesa jonë është e thjeshtë, respektoni Kushtetutën dhe Ligjin, as më shumë e as më pak”, theksoi Besar Sejdiu, kryetari i Uniuonit Studentor të UNT-së.
Ai theksoi se çdo zvarritje është përpjekje për të mohuar një të drejtë që është mohuar me vite. “Ne këtu do të jemi dhe ju zbatoni Kushtetutën dhe Ligjin”, tha Sejdiu.
Ndërkohë kryetari i Parlamentit Studentor pranë UEJL-së, Besian Rexhepi, tha se ato kërkojnë zgjidhje jo justifikime. “Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut kemi nevojë për ligje që respektojnë diversitetin e këtij vendi. Prandaj, ky është një moment reflektimi për të gjithë faktorët institucional dhe politik, ky është një mesazh i drejtpërdrejtë për ministrin e drejtësisë Fiillkov, që të merr seriozisht këtë çështje, sepse ne dimë edhe të rebelohemi. Po ashtu është thirrje për kryeministrin Mickoski që të mos e trajtojë këtë çështje vetëm në kuadër të deklaratave apo konferencave për shtyp”, theksoi Rexhepi.
Studenti Jon Selimi tha se nuk janë në rrugë rastësisht, por janë në rrugë sepse janë lodhur duke trokitur në duar të mbyllura. Ai apeloi që politika të mos nënçmojë studentët, sepse ata janë ardhmëria e shtetit. “Çka duhet të bëjmë dhe si duhet vepruar që Ligji për Përdorim të Gjuhëve të jetë i respektuar dhe i zbatuar. Ligjet nuk prodhojnë obligime vetëm për qytetarët, por edhe për institucionet shtetërore. Dhe ky ligj flet qartë, nuk kërkon iniciativa të reja, kërkon vetëm vullnet për ta zbatuar. Kërkesa jonë është e thjeshtë, respektojeni ligjin ashtu siç është”, theksoi studenti Selimi.
STUDENTËT PROTESTOJNË, PARTITË POLEMIZOJNË
Ndërkohë, partitë politike akuzojnë njëra tjetrën për gjuhën shqipe. Përderisa funksionarët e lartë të BDI-së shprehën mbështetje të plotë për protestën e studentëve, VLEN theksoi se është hipokrizi për të ofruar mbështetje për një çështje që vet e kanë zvarritur. Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, përmes rrjeteve sociale tha se protesta duhet të bashkojë çdo shqiptarë për të penguar përpjekjet për degradimin e gjuhës shqipe. “Sot duhet të jemi të gjithë bashkë. Bile jo vetëm shqiptarët, por të gjithë ata qytetarë që e duan këtë shtet të barabartë, të zhvilluar dhe evropian. Beteja për gjuhën është betejë mbi të gjithë ne. Andaj, sot është detyrim kombëtar, njerëzor dhe evropian që të jemi pranë studentëve, të lëmë punët tona, të dalim dhe të mos i lëmë studentët vetëm”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.
Në protestë u panë edhe një numër i madh i funksionarëve të lartë të BDI-së, duke filluar nga sekretari i përgjithshëm Arbër Ademi, nënkryetarët Arta Bilalli Zendeli, Bujar Osmani etj.
Ndërkohë nga koalicioni VLEN vlerësojnë se kjo protestë nxori në pah mashtrimin 20 vjeçar të BDI-së. “Kur studentët dalin në protestë, kjo flet më shumë për dështimin e atyre që për vite kishin pushtetin, sesa për ata që sot po punojnë për të gjetur zgjidhje. BDI sot po e institucionalizon pakënaqësinë e studentëve dhe po përpiqet të përfitojë politikisht nga një problem që vetë e ka lënë zvarrë. Kjo është skandaloze. Kishte ministra, institucione, mekanizma dhe gjithë pushtetin e nevojshëm për ta mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Nuk e bëri. Jo pse nuk mundi, por sepse ishte e zënë me hajni, me Soravi, me blerje pronash dhe me pazare për llogari të klikës së vet”, theksojnë nga VLEN.
Nga koalicioni i partive shqiptare në pushtet shprehen se studentët kanë të drejtë legjitime për të protestuar, por zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe jo të përdoret si vegël propagandistike. “Politika gjuhësore në vend është ndërtuar mbi zgjidhje gjysmake. Dhe ligjet gjysmake japin padrejtësi të plota. Pikërisht për këtë, sot nevojitet vullnet për ta mbyllur këtë plagë, jo lot krokodili nga ata që e mbajtën hapur për dy dekada. Dallimi është si toka me qiellin. BDI i përdori shqiptarët si mburojë për të vjedhur, për t’u pasuruar dhe për ta mbrojtur korrupsionin e vet, ndërsa ne i trajtojmë si amanet. Andaj, u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë të mos fshihen pas studentëve dhe të mos i përdorin për interesa ditore”, janë shprehur nga koalicioni VLEN.
TIRANA ZYRTARE MBËSHTET PROTESTËN
Ministri për Punë të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndërkohë, ka reaguar lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar atë si një të drejtë të qartë dhe të panegocionueshme. Hoxha thekson se e ka ndjekur me vëmendje shqetësimin dhe kërkesën e studentëve, duke nënvizuar se përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore e garantuar si nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.
“E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Hoxha.
Ai më tej thekson se kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim.
“Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore. Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve. Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara”, thuhet në reagimin e ministrit të jashtëm, Ferit Hoxha, transmeton kohamk, opentv.




