Në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1, maestro Zhani Ciko foli për rëndësinë e jashtëzakonshme historike të Festivalit të Këngës, duke rikujtuar atmosferën e veçantë dhe ndikimin që ky festival ka pasur në jetën artistike shqiptare.
Maestro Ciko theksoi se ky festival ishte një “bum” artistik në vitet e para të organizimit, që ndryshoi gradualisht imazhin e këngës shqiptare, duke e bërë atë një platformë të rëndësishme publike dhe televizive.
“Populli është kronika e gjallë e jetës, dhe ato njerëz që akoma sot jetojnë janë ato që nuk i harrojnë mbresat e para. E ndoqa kolegun tim Jetmir Barbullushin i cili tregoi se e ndiqnin nga radio Festivalin e Këngës, ku festivali ishte një “bum” artistik në atmosferën e atyre viteve. Populli e priti shumë mirë, dyert e sallës që sot është universiteti i arteve ruheshin me polic. Festivali ndërroi imazhin e këngës shqiptare pak nga pak që nga edicioni i parë nga një faktor që merrte pjesë në jetën e njeriut u bë një paradë e cila doli në skenë dhe më pas në ekran”, u shpreh Maestro Ciko.

Një tjetër moment i rëndësishëm i festivalit sipas Cikos ishte prezantimi i autorit të këngës në mikrofon, një risi që nisi me emrin e Avni Mulës. Ai theksoi gjithashtu rolin e dy dirigjentëve të orkestrës, Kristo Kotes dhe Agim Krajkës, të cilët sollën një kombinim të muzikës klasike dhe ritmike.
“Në atë edicion nuk u dha çmimi i parë, por u dhanë 3 çmime të dyta, dhe 2 çmime të treta. Këngët këndoheshin në dy variante, për shembull kënga “Fëmija e parë” e këndoi Vaçe Zela por e këndoi dhe Qemal Kërtusha për të treguar se çfarë sjell një interpretim. Diçka tjetër e rëndësishme ishte se formacioni orkestral u dirigjua nga Kristo Kote, një muzikant shumë i mirë i cili drejtoi orkestrën tonë ;por ishte dhe formacioni ritmik i drejtuar nga Agim Krajka. Një fenomen i ri ishte që për herë të parë u shfaq në mikrofonin shqiptar vendi i këngë autorit, dhe ky ishte i pari në historinë e muzikës shqiptare që ishte Avni Mula. Pavarësisht prirjeve politike të asaj kohe në këngë nuk kishte të tilla”, tha ai, transmeton rtsh.