/ Në një postim që ka ngjallur reagime të shumta pozitive, Hebibi përshkruan atmosferën e jashtëzakonshme që përjetoi pranë Piramidës, mes qindra bashkëkombasve që nuk arritën të sigurojnë bileta, por që bashkëkënduan dhe festuan si një trup i vetëm, përtej çdo dallimi krahinor, fetar apo politik.
“Na bashkonte flamuri. Gjuha. Zemra. Kombëtarja,” shkruan ai mes emocionesh, duke theksuar se kjo mbrëmje ishte një dëshmi tjetër se nuk ka forcë që mund të ndajë shqiptarët.

Hebibi falënderoi gazetaren e respektuar, znjsh. Greta Topjana dhe TV. Euronews Albania e stafin e saj për mundësinë që i dhanë për të shprehur këtë emocion të rrallë në një media prestigjioze dhe profesionale edhe ate live gjersa zhvillohej ndeshja e futbollit.
Ai përmbyll me një mesazh të qartë:
“Nuk ka kosovarë, por ka shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi e diaspora. Një komb jemi, një kombëtare kemi.”
Ja se si shprehet z.Hebibi:
Zgjodha të mos jem i akredituar në stadium, për t’u solidarizuar me ata që nuk arritën të siguronin një biletë. Falënderoj miken time, Greta Topjana, Euronews Albania dhe gjithë stafin që me profesionalizëm dhe dinjitet po na nderojnë edhe neve shqiptarëve që jetojmë në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.
Pata mundësinë të them disa fjalë për këtë ditë të madhe të sportit në futboll, që u zhvillua mbrëmë në Tiranë edhe ate live për euronewsal, në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ishte një përjetim i pazakontë. Zgjodha të mos jem i akredituar në stadium, për t’u solidarizuar me ata që nuk arritën të siguronin një biletë, ndonëse kishin shumë dëshirë të ishin aty. Në fakt, ndjeva se atmosfera jashtë stadiumit – në qendër të Tiranës, përballë Piramidës – ishte po aq magjike. E gjithë ajo zonë u shndërrua në një sallë të hapur opere futbolli, ku qindra bashkëkombas nga të gjitha trevat shqiptare këndonin e festonin së bashku.
U bashkuan rreth flamurit, gjuhës dhe kombëtares sonë për të dhënë përkrahje me gjithë zemër. Ishte një ndjesi e papërshkrueshme të shihje njerëz dorë për dore, pa dallim prej nga vinin, pa pyetur për fe apo parti politike – vetëm krenarë që janë shqiptarë. Kjo mbrëmje ishte edhe njëherë dëshmi se nuk ka forcë që mund të na ndajë si komb. Kanë provuar dhe do të provojnë, por ne e kemi treguar se dimë të qëndrojmë të bashkuar dhe ta ruajmë gjuhën, historinë dhe identitetin tonë të lavdishëm – që ka dhënë kontribut edhe për Evropën. Në fjalën time për këtë televizion prestigjioz, theksova me emocion se nuk ka “kosovarë” apo “shqiptarë nga Shqipëria” – ka vetëm shqiptarë: nga Kosova, nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, dhe kudo tjetër ku rreh zemra shqiptare.
Një komb jemi, një kombëtare kemi. Rroftë populli ynë dhe miqtë tanë! Treguam qytetari, kulturë sportive dhe një dashuri të pamasë për vendin tonë“, përfundon z. Hebibi.