Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit vijon në të gjithë vendin. Deri më tani, kur janë numëruar 4.907nga 5.225 qendra votimi gjithsej, Partia Socialiste (PS) ka siguruar 52.13% të votave në shkallë vendi, duke mbajtur epërsinë në shumicën e qarqeve. Nga ana tjetër koalicioni PD-ASHM ka 34.45% të votave në nivel kombëtar. Në vend të tretë si forcë politike renditet PSD me 3.93%.
Ajo që vihet re është se partitë e reja “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe partia Mundësia e Agron Shehaj kanë marrë gjithashtu një përqindje të konsiderueshme, konkretisht NISMA-SHB ka marrë 21.384 vota ose 3.37% dhe Partia Mundësia ka marrë 17.347 vota ose 2.74%. Nga votat e numëruara deri tani Partia Demokratike ka një rezultat më të lartë në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, deri në orën 19:00 të dielës së 11 majit, vetëm 42,17% e qytetarëve e shfrytëzuan këtë të drejtë. Përveç fletëvotimeve brenda vendit, për herë të parë sivjet do të numërohen edhe të paktën 194.889 zarfe të ardhura nga shqiptarët jashtë vendit.
10:05 I Mbyllet numërimi i votave në qarkun e Korçës, PS fituese me 54.33% të votave
Është mbyllur numërimi i votave edhe në qarkun e Korçës, ku Partia Socialiste ka marrë shumicën e votave. Sipas të dhënave të KQZ-së, PS ka marrë në total 57.213 vota, ose 54.33%, ndërsa PD-ASHM ka marrë 36.405 vota, ose 34.57%.
4.520 vota ka marrë Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, përkthyer në 4.29%, ndërsa PSD ka marrë 2.518 vota, ose 2.39%.
10:00 I Mbyllet numërimi i votave në qarkun e Vlorës, PS fituese me 53%
Numërimi i fletëve të votimit u përmbyll në qarkun e Vlorës, ku rezultati përfundimtar për subjektet garuese në këtë qark flet se: PD arriti të marrë 24.094 vota, ose 26.66%, PS 53.083 vota, ose 58.73%, partia Mundësia mori 4526 vota, ose 5.01%, Shqipëria Bëhet 4857 ose 5.37%, Lëvizja Bashkë mori 990 vota, ose 1.1% dhe PSD 1385, ose 1.83 %. Vlora i dha Partisë Socialiste tetë mandate deputeti, ndërsa Partisë Demokratike katër mandate.
9:20 I Mbyllet numërimi i votave në qarqet Berat dhe Dibër, PS fituese me mbi 50% të votave. PD merr Lezhën
Është mbyllur numërimi i votave në Berat dhe Dibër, ku Partia Socialiste rezulton të ketë marrë shumicën e votave në të dy qarqet.
Në qarkun e Dibrës, PS ka marrë 32.146 vota. Ose 56.19%, ndërsa Koalicioni PD-ASHM ka marrë në total 21.790, ose 38.09%. Partia Socialdemokrate ka marrë në këtë qark 1.315 vota, ose 2.30%, ndërsa Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 666 vota, ose 1.16%.
Edhe në qarkun e Beratit PS ka fituar me një diferencë të thellë, duke marrë 36.863 vota, ose 57.64%, ndërsa Koalicioni PD-ASHM ka marrë 19.486 vota, ose 30.47%. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë në këtë qark 4.555 vota, ose 7.12%, ndërsa 1.359 vota, ose 2.12% ka marrë Partia Mundësia.
Në qarkun e Lezhës, koalicioni PD-ASHM rezulton fitues. Ky koalicion ka siguruar 29,484 vota ose 45.13%, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 27,585 vota ose 42.23% me një diferencë prej 1899 votash në favor të opozitës. Në bazë të këtyre rezultateve paraprake, Partia Demokratike arrin të sigurojë 4 mandate deputetësh, ndërsa Partia Socialiste merr 3 mandate në këtë qark. Megjithatë, mbetet ende për t’u përfunduar numërimi i votës së diasporës, e cila mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve. Sa i përket partive më të vogla, koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 3,614 vota ose 5.53%, ndërsa koalicioni “Euroatlantik” ka marrë 1,594 vota ose 2.44%, por asnjë prej këtyre subjekteve nuk ka arritur të sigurojë mandate në këtë fazë të numërimit. Zhvillimet e mëtejshme do të varen nga numërimi i votave të ardhura nga emigracioni, të cilat mbeten një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e bilancit përfundimtar të mandateve në këtë qark i cili prodhon 7 të tillë.
7:31 I Numërohen 94% e votave, PS kryeson me 52.13%. PD-ASHM merr 34.45%
Vijon numërimi i votave në vend, teksa deri më tani janë numëruar 94% e Qendrave të Votimit. Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, PS kryeson me 52.13% të votave, duke dalë forcë fituese në shumicën e qarqeve, ndërsa PD-ASHM ka marrë në rang vendi 34.45% të votave. Forcë e tretë është PSD e cila ka marrë 3.47% të votave, ndjekur nga Koalicioni Nisma Shqipëria bëhet me 3.50%.