/Nga: Dashnim HEBIBI, Mellingen/
Në kuadër të rubrikës sonë për shëndetësi dhe edukim profesional, redaksia e sam24.info vizitoi qendrën shëndetësore shtëpiake am.pm.Spitex, me seli në qytetin e bukur të Mellingen, kantoni Aargau. Kjo qendër, e cila ka mbi një dekadë përvojë në fushën e kujdesit shëndetësor shtëpiak, drejtohet me shumë përkushtim dhe profesionalizëm nga drejtorja menaxhuese znj. Fatmire Bajselmani.
Qëllimi i vizitës sonë ishte të njihemi nga afër me mënyrën e punës së kësaj qendre, veçanërisht me angazhimin dhe metodat që përdoren për edukimin dhe përgatitjen e studentëve të rinj, të cilët po ndjekin trajnim në profesionin e ndihmësit/e shëndetësor. Ajo që vumë re që në fillim ishte ambienti profesional, mikpritës dhe me kushte optimale për zhvillimin e praktikës mësimore.

Edukim cilësor dhe standarde të qarta për brezin e ri
Në bashkëbisedim me znj. Fatmire Bajselmani, mësuam se qendra am.pm.Spitex bashkëpunon rregullisht me institucione arsimore për të ofruar praktikë profesionale për studentët, kryesisht nga Zvicra, të cilët përgatiten për të hyrë në profesionin e kujdesit shëndetësor.
„Për ne është me rëndësi që çdo student të largohet nga këtu me dije të qarta, me etikë profesionale dhe me përgatitjen e duhur për t’u përballur me nevojat e pacientëve,” – thekson znj. Fatmire Bajselmani. Ajo shton se përtej aftësive teknike, studentët mësojnë edhe si të jenë njerëzorë, të kujdesshëm, të ndjeshëm dhe gjithmonë pranë pacientit me dinjitet dhe respekt.

Në këtë qendër, aktualisht janë tre studentë në proces trajnimi. Njëri prej tyre është Rafael Seitz, student në vitin e parë, i cili pritet të fillojë vitin e dytë të studimeve. Ai shpreh kënaqësinë e tij për eksperiencën që po fiton në këtë institucion dhe falënderon të gjithë stafin, me theks të veçantë për znj. Fatmire Bajselmani, e cila, sipas tij, është gjithmonë e gatshme të ndihmojë dhe të udhëheqë me zemër dhe përkushtim.
“Zonja Fatmire Bajselmani është shumë e afërt me ne. Ajo dëshiron që të gjithë të jemi të përgatitur dhe të mësojmë mënyrën më të mirë të të ushtruarit të këtij profesioni,” – na tha Rafael. Për të, ky profesion është një kombinim i dijes, përkushtimit dhe humanizmit.

Udhëheqje profesionale për studentët
Përveç znj. Fatmire Bajselmani, kujdesin për edukimin e studentëve e mbikëqyr edhe znjushja Patrizia Löwe, e cila është përgjegjëse për ndjekjen e praktikës së tyre. Ajo na tregoi se këtë vit janë tre studentë që ndjekin trajnimin në këtë qendër, ndërsa pas pushimeve verore priten të fillojnë edhe tre studentë të rinj. Në fund të praktikës, këta të rinj do të pajisen me njohuri themelore prej tre viteve në fushën e kujdesit shëndetësor, dhe nëse dëshirojnë, mund të vazhdojnë më tej për dy vjet të tjera drejt specializimeve si motër medicinale (Diplomierte Pflegefachfrau/Pflefefachmann (Infermiere e kualifikuar dhe infermier i kualifikuar).

Një aspekt interesant që na tregoi znj. Fatmire Bajselmani ishte se gjatë shkollimit nuk përdoren medikamente reale për arsye sigurie. Në vend të tyre, studentët praktikojnë me kuti bosh ose mjete alternative si çokollata, për të mësuar si të identifikojnë dhe të shpërndajnë barnat në mënyrë të saktë dhe të sigurt. Kjo metodë është kreative dhe e sigurt, duke i përgatitur studentët pa i vënë në rrezik pacientët.

“Çdo tri ditë zhvillohet praktikë në qendrën tonë, ndërsa provimet kryhen këtu dhe në shkollë,” – tregon znj. Fatmire Bajselmani. “Studentët kanë klasën e tyre të veçantë dhe përdorin materiale të posaçme edukative që simulojnë situata reale të kujdesit ndaj pacientit.”
Një dekadë përkushtim dhe profesionalizëm
Qendra am.pm.Spitex ka tashmë mbi 10 vjet eksperiencë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore shtëpiake dhe është ndërtuar mbi parimet e përkushtimit, profesionalizmit dhe humanizmit. Gjatë gjithë këtyre viteve, kjo qendër ka krijuar një imazh pozitiv dhe një reputacion të fortë në komunitetin lokal dhe më gjerë në kantone të tjera, duke qenë një partner i besueshëm për familjet dhe institucionet.
“Ky profesion kërkon shumë më tepër sesa dije – kërkon zemër dhe ndërgjegje të pastër,” – tha në fund znj. Fatmire Bajselmani.

“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ligjërata edhe në gjuhën shqipe nëse na vijnë të interesuar dhe i plotësojnë kushtet, për të gjithë ata që dëshirojnë të informohen apo të përfshihen në këtë fushë kaq të nevojshme dhe humane.”

Ajo gjithashtu falënderoi redaksinë sam24.info për bashkëpunimin dhe përkushtimin për të informuar komunitetin mbi zhvillimet në fushën e kujdesit shëndetësor shtëpiak në Zvicër.

SAM24.info