Virozat nuk kanë më sezone të ndara, por ato janë bërë gjithëvjetore. Bruna Shiroka, mjeke familjeje dhe njëherazi drejtuese e qendrës socio-shëndetësore numër 3, e ftuar në emisionin Health o’clock, u shpreh se pacientët e prekur nga viroza janë të përditshëm dhe ato po dominojnë aktualisht në vizitat ditore.
“Është një periudhë katër deri në pesëvjeçare, ku ne i hasim sëmundjet virale gjatë gjithë stinës së vitit. Plus, rastet me COVID ende qarkullojnë në popullatë.”
– Bruna Shiroka, Mjeke, Drejtuese e QSH nr. 3
Por cilat janë shqetësimet me të cilat paraqiten pacientët tek mjeku?
“Dhimbja e fytit dhe kollat e thata janë ato që shfaqin më shumë komplikacionet.”
– Bruna Shiroka, Mjeke, Drejtuese e QSH nr. 3
Ajo çfarë mjekja tërhoqi vëmendjen është kujdesi që duhet bërë për simptomat, e veçanërisht për temperaturën, e cila ndonjëherë nënvlerësohet.
Edhe pse mjekja pohoi se rreth 70-80% e rasteve konsiderohen të lehta, gjithmonë duhet bërë vlerësimi nga mjeku që në ditët e para, pasi situata mund të përkeqësohet, transmeton euronewsal.