E konsideruar si një ndër anijet më të bukura në botë, “Amerigo Vespucci” mbërriti të martën në Durrës, ndalesa e parë e turit të saj mesdhetar.
Anija e Marinës Ushtarake italiane u prit nga ambasadori Marco Alberti.
Në bordin e saj pritet të mbahen fjalët e nderit nga komandanti i saj, nga kryeministri Edi Rama, si dhe përfaqësues nga Ministritë e Mbrojtjes të të dyja vendeve, nga Marina Ushtarake Italiane dhe drejtuesi i RCS Sports & Events, Paolo Bellino.
Prezantimi i z. Bellino pritet të jetë nesër në kuadër të aktivitetit sportiv Giro d’Italia 2025. Etapat e para të kësaj gare do të hapen nga Shqipëria, në datat 9, 10 dhe 11 maj, duke nisur me qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Në anije është krijuar edhe një ambient i veçantë, ku do të ekspozohet Trofeu “Senza Fine” i eventit sportiv.
Gjatë ditës janë planifikuar takime dypalëshe mes ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe homologut Guido Crosetto.
Në bordin e “Amerigo Vespucci” prej korrikut 2023 kanë shkelur mbi 43.300 persona për ta vizituar, ndërsa anija ka prekur brigjet e gjithë kontinenteve. Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka ftuar qytetarët ta vizitojnë atë në datat 9–10 prill nga ora 14:00 deri në 20:30.
E ndërtuar në vitet ’20 dhe duke mbajtur emrin e eksploruesit italian që zbuloi Amerikën, anija “Amerigo Vespucci” është kthyer në një shkollë lundruese për të edukuar breza të tërë oficerësh, njofton rtsh.