Me një apel bashkëpunues mes partive politike, deputeti Vasil Llajo hapi sot seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen politike të vendit dhe procesin e integrimit europian.
Ai theksoi se jeta politike ndërtohet mbi energjinë e rinisë dhe maturinë e përvojës, duke nënvizuar se çdo vendim që do të merret në sallën e Kuvendit duhet të vendosë në qendër qytetarin dhe dinjitetin e tij.
“Sipas Kushtetutës, më është besuar detyra e nderuar për të hapur këtë seancë të parë. Ky është një moment solemn, sepse fillon kapitulli i katër viteve të ardhshme, ku do të shkruhet historia e vendit tonë.
Jeta politike ndërtohet mbi energjinë e rinisë dhe maturinë e përvojës. Shërbimi ndaj njeriut është rruga më e ndershme që duhet ndjekur edhe në këtë sallë, dhe çdo vendim duhet të ketë në qendër qytetarin dhe dinjitetin e tij”, tha Llajo.
Ai bëri thirrje për një politikë të pjekur dhe të ndershme, duke e quajtur procesin e integrimit në Bashkimin Europian “një mision kombëtar” dhe jo thjesht një aspiratë.
“Kjo legjislaturë është e re në përbërje, ku më shumë se gjysma janë ulur për herë të parë në këtë karrige. Të bashkëpunojmë forcat politike. Shqipëria është më afër Bashkimit Evropian se kurrë, dhe kjo legjislaturë duhet të tregojë me vepra se vendi është gati për t’u ulur si i barabartë mes vendeve anëtare.
Ky është një mision kombëtar, jo vetëm një aspiratë, dhe le të ngremë standarde të reja, duke treguar se dimë të bëjmë politikë të pjekur dhe bashkëpunuese, sepse kemi interesa të vendit për të mbrojtur”, tha ai./rtsh