Sot, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka mirëpritur një takim të rëndësishëm strategjik me Odën Ekonomike të Kosovës, në kuadër të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Rektori Prof. Dr. Armand Krasniqi, së bashku me Prorektorët Prof. Dr. Edmond Beqiri dhe Dr. Sc. Prof. Ass. Vjosa Hajdari, pritën Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, dhe përfaqësuesin e Njësisë Rajonale dhe Panaireve të Pejës, Samir Lleshi.
Në takim u prezantuan disa projekte madhore, përfshirë: Optimizimin e proceseve universitare përmes inteligjencës artificiale, ngritjen e inkubatorëve të biznesit dhe laboratorëve të inovacionit, krijimin e barometrave të punësimit për tregun rajonal dhe organizimin e Konferencës së Tretë Vjetore të Forumit Ekonomik Rajonal të Dukagjinit.

Kryetari Rafuna e vlerësoi vizionin e universitetit dhe e konfirmoi Odën si partner strategjik në realizimin e projekteve.
“Oda Ekonomike e Kosovës do të jetë partner strategjik i Universitetit ‘Haxhi Zeka’ në këto projekte madhore, duke lidhur fuqishëm arsimin me ekonominë e vendit”, deklaroi ai.
Ky bashkëpunim synon të forcojë lidhjen mes arsimit dhe ekonomisë, duke e pozicionuar UHZ-në si një universitet modern, inovativ dhe të angazhuar në zhvillimin rajonal dhe kombëtar./TEL