Në ambientet e Universitetit “Haxhi Zeka”, Rektori Prof. dr. Armand Krasniqi priti në takim znj. Lindita Boshtrakaj, përfaqësuese e Projektit HoReCa në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimit në fushën e zhvillimit profesional, me theks të veçantë në zbatimin e programeve të kualifikimit hotelier të nivelit V dhe VI, të ndërlidhura ngushtë me nevojat e tregut të punës.
Në takim, palët shkëmbyen informacione të rëndësishme për analizat e tregut të realizuara nga Instituti për Shkencë dhe Arte i UHZ-së dhe nga Projekti HoReCa, duke evidentuar sektorët prioritarë dhe kërkesat konkrete të industrisë hoteliere. Diskutimi nxori në pah rëndësinë e përafrimit të kualifikimeve profesionale me standardet ndërkombëtare dhe me dinamikën e zhvillimit të turizmit dhe hotelerisë në Kosovë.
Të dyja palët u dakorduan që bashkëpunimi të konkretizohet në hapat e ardhshëm për hartimin dhe zbatimin e programeve profesionale, të cilat do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e kuadrove të kualifikuara në të gjitha dimensionet e industrisë hoteliere. Ky angazhim i përbashkët do të kontribuojë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe në rritjen e punësueshmërisë së profesionistëve në këtë sektor strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit. /UHZ