
Nga Prof.dr.Xhavit LIPAJ, Zvicër
Jetën time e jetoj unë,
si udhëtar që s’e pyet erën për rrugën, si barkë që i bindet vetëm detit të vet, jo portit ku të tjerët duan ta ndalojnë.
Gabimet e mia i paguaj unë,
me monedhën e gjakut tim,
me shijen e hidhur të pendimit,
por edhe me krenarinë e atij
që nuk ia lë askujt faturën e shpirtit.
Përgjegjësitë i mbaj mbi shpatulla, si Atlas që mban qiellin, e çdo barrë është gur i rëndë, por unë nuk i hedh kurrë te dera e tjetrit, se njeriu matet nga pesha që duron,
jo nga fjala që shpërndan.
Vuajtjen time e mbaj unë,
në heshtje, si zjarr që digjet nën hi, pa kërkuar mëshirë, pa trokitur në dyer të kota,
se dhimbja është mësuesja ime e fshehtë, ajo që më bën më të fortë, kur bota më mendon të thyer.
Dhe prandaj pyes:
Çfarë kërkon ti, o njeri,
i uritur për të lundruar në ujërat e mia?
Pse zhbiron plagët e mia me kureshtje të verbër, kur s’ke as busull, as det, as guxim
për të mbajtur stuhinë që më përket mua?
Unë jam unë,
një univers i mbyllur në lëkurën time, një udhëtim që nuk ka hartë, një libër ku çdo faqe shkruhet, me lot, me gjak, me dritë e me hije.
Mos e ngatërroni këtë jetë me tuajën, se në fund, kur të shuhet fryma, çdo njeri do të përballet me pasqyrën e vet,
dhe aty nuk do të shohë asgjë tjetër veçse veprat që e ndoqën deri në amshim.