
Nga: Dashnim HEBIBI
Zagreb, 05 qershor 2025 – Rruga nga Kroacia për në Serbi është e gjatë, por për çudi, këtë herë kaloi mirë. Sapo iu afruam kufirit serb, filluan emocionet – jo nga frika, por nga pasiguria: do na nxjerrin jashtë? Do bëjnë kontrolle? Do na vonojnë? Por, jo – nuk ndodhi kësar radhe ashtu. Kalimi ishte i shpejtë.
Me të hyrë në Serbi, filluan të duken disa gropa në rrugë, dhe autobusi lëvizte aq shumë sa ata që ishin duke fjetur u zgjuan. Çmimet e derivateve? Stratosferike. Pas 30 km, policia dha shenjë për ndalim. Shoferët tanë e dinin mirë se çka duhet bërë në këto raste – dhe për të mos i krijuar telashe herave tjera, po e lëmë këtë episod pa shumë fjalë. Sepse çdo autobus ndalet. Vetura nuk kishte shumë. Në hyrje të Beogradit – pak vetura, dhe tabelat na drejtonin drejt Nishit.

Shoferët nuk e kishin treguar ende se ku do ndalemi për pushim. Dielli po depërtonte nëpër autobus. Një mërgimtar i rraskapitur, me fytyrë të zverdhur, tha me ironi: “Të kisha shku me aeroplan, tash isha atje…” Por menjëherë shtoi: “Për Besë, mirë kaluam.” Në autobus kishte kushte të mira – kafe, internet. Sa herë shihnim një pompë benzine, shpresonim për një ndalesë. Disa udhëtarë nuk donin të ndaleshim – do të arrinim më shpejt, e do përgatiteshim për festën e Kurban Bajramit që është nesër.
Duke iu afruar Nishit, mendja më shkoi tek historia. Sa e sa shqiptarë kanë kaluar e jetuar këtejpari? Aty pranë Leskocit u pa tabela Medvegja – por vetëm serbisht. M’u kujtuan miqtë e mi nga Medvegja, që çdo ditë zgjohen e flenë me mendjen atje. Si është sot gjendja atje? Sa shtëpi shqiptare kanë mbetur? Nuk ndalem – se dihet.
Një bashkatdhetarë më ofroi një sanduiç me buzëqeshje: “A doni i nderum?” – “Jo, faleminderit shumë,” i thashë. Sa solidarë jemi ne shqiptarët. Jemi të mirë, por vlojmë shpejt – siç e përmendi një plak në autobus, që dukej nervoz, sigurisht nga mungesa e duhanit. Thuhet se ata që nuk pinë duhan, kur duan dhe nuk mundin, bëhen edhe më nervoz.
Paramendoni sezonën: mërgimtarë që udhëtojnë për orë të tëra, disa flenë në korridore të autobusëve. Autobusi ishte modern – Euro Turist, me pronar shqiptar nga Gostivari, me nofkën “Naski”.
Shoferët?
Për Besë, meritojnë fjalët më të mira. Sot nuk ishte Keli, legjenda e kompanisë, por as daja Luli e as Bashkimi. Edhe këta ishin të sjellshëm. Astriti, shoferi më i ri, kujdesej për biletat dhe buzëqeshte: “A doni kafe?” – pyeste disa herë.

Rrugës në Serbi, toka është e punuar. Gruri është rritur. Shenjat e komunikacionit? Prej 100 km/h bien përnjëherë në 60 – për të përgatitur ndonjë dënim. Sa tokë e bukur ka Nishi dhe rrethina e mollës së kuqe. Trupi më dridhej nga emocionet – kujtova ata që vuajtën, bashkëkombasit tanë autoktonë që u dëbuan me dhunë.
Xhami i parë i autobusit u mbush me insekte – gjë normale në verë. Por për Besë, ndjej dhimbje për të moshuarit e fëmijët që udhëtojnë me orë të tëra nëpër kufi. Rruga është e mundimshme dhe e kushtueshme – dhe të mos nderohet mërgimtari, është padrejtësi.
Gjeneratat e reja nuk do ta përjetojnë këtë si ne – dhe kjo është e natyrshme. Medvegja ka mbetur veç emër – një emër dhimbjeje. Ky udhëtim më dha ndjenjën se dua të vij përsëri, por gjatë pushimeve jo sepse mbi 30 orë udhëtim nuk është pak.

Rrugës, motelet më tundonin të flija – por natyrisht nuk e kisha mundësinë. Aty nga Vladicin Han pashë edhe hekurudhën që shkon për Shkup e Greqi. Pasuri e madhe në këtë krahinë. Afer Nishit u ndalëm për një pushim 20 minutësh. Në një restorant të njohur për shoferët e autobusëve. Gjatë qëndrimit prej 30 minutash, erdhën pesë autobusë shqiptarë – dy me targa të Maqedonisë dhe tre të Kosovës. Shumica drekuan aty!
Mendova: sa përfiton Serbia nga mërgimtari shqiptar?
Poshtë ishte vetëshërbimi me pije e cigare. Përballë – një billboard me presidentin serb. Gjatë pushimit, bisedova me një të ri nga një fshat i Tetovës, që punonte në Mynih. Sherif Hasani, 20-vjeçar, i edukuar dhe me shpirt të bardhë. “Më dhimbset vendi im,” tha. “Nuk ia del njeriu as në Gjermani. Do doja të punoj në vendlindje.” Sytë i kishte të lodhur, çanta e vogël në krah – disa euro të kursyera.
“Pak ka mbet,” tha. “Nuk është e lehtë, por duhet me ba zgjidhje.” Pushimi prej 20 minutash zgjati 43 – por askush nuk u ankua. Të gjithë kishin nevojë për pak freski.
Në shkallët e restorantit pashë pleq që mezi ecnin. Një plak nga Maqedonia i dridhej dora. Ishte pensioner. Seniorët e mërgatës janë ajka e sakrificës shqiptare – ata që sakrifikuan jetën për të tjerët.
Më mbeti mendja te Medvegja. Doja të prekja veten me emocionet për krahinën e mollës së kuqe, por lodhja e bëri të vetën. Doja të ruaja pak fuqi për Preshevë – për ta përqafuar babën tim, për ta puthur në duart e tij. Ai që sakrifikoi gjithçka për ne – vetë i rritur jetim. Falënderime për jetë!
Bashkë me nënën time, tashmë të ndjerë, që me mund na rriti dhe na edukoi me karakter të fortë. Kur iu afruam Vranjës, që aty kam lindur – qyteti që dikur kishte shumë shqiptarë – i thashë vetes: mos gaboni me kohën. Bujanoci atje, Ternoci… Bujanoci me ujin mineral. Bujanoci i krenarisë – me Tërnoc, Konçul, Llucan, Turi, Bilac – i qetë nga autostrada.
Mua po më afrohej koha të ndalem. Në fshatin Bilaç, ku ka lindur bashkëshortja ime. Aty është edhe varri i vjehrrit tim – Haxhi Bakiut një burrë i fjalës, human dhe patriot. Eh, jeta…
Te kufiri Serbi-Maqedoni u ndala mora çantat e mia dhe menjihere e pashë babën Haxhi Xhelalin, vëllezërit – Bejtullahun e Bekimin – që shumë herë e kishin shikuar orën: “Kur do të vijë?” I dhashë vetes kohë për t’i përqafuar.
Faleminderim nga zemra
Një falënderim të veçantë e kam për mikun dhe editorin e SAM24.info, Petrit Markaj, që me kujdes dhe zemër të madhe më pyeti se ku jam dhe si po më shkon rruga. Njerëz të tillë të japin ndjesinë se nuk je vetëm – se diku, dikush e ndjen lodhjen tënde dhe i jep vlerë rrëfimit tënd. Petrit, të falënderoj nga zemra.
Me po aq dashuri e mirënjohje, falënderoj:
- Bashkëshorten time, për gjithçka që përfaqëson në jetën time.
- Vajzat dhe djalin tim, forca ime në çdo përpjekje.
- Vëllain tim Besnikun, shtyllën time të palëkundur.
- Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih
- Bejtullahun dhe Bekimin, vëllezërit e dashur që më pritën me zemër.
- Fatimen, kunatën time që është gjithmonë krah nesh.
- Rafet Ademin, mikun dhe përkrahësin e sinqertë.
- Dajën Bekim, që gjithmonë ka qenë pranë me fjalë të mira dhe përkrahje
- Berat Thaqi, mikun tim, editor i shtëpisë botuese „Libri Im“ me qendër në Pejë
Faleminderit të gjithëve që më bëni të ndihem me fat. Lotët i mbajta në zemër kur iu afrova shtëpisë ku u linda dhe kur më dilte nëna, aty ku pushon shpirti im. E uji i çeshmës që e pija nga duart e nënës – akull, dhe ajo më thoshte: “Pi kënaqu, biri jem.”

Ah, nënë – një copë shpirti të kam dhënë… dhe ajo ishte më e mira. /SAM24.info