Nga Beqir SINA, SHBA
Në kuadër të Muajit të Librit dhe Artit Shqiptar, në Amerikë, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (SHSHA) organizoi “Tubimin e Shkrimtarëve” në “GR Art Gallery”, Stamford, Connecticut.
Ky aktivitet bashkoi shkrimtarë, poetë dhe artistë shqiptaro-amerikanë për të celebruar fjalën e shkruar dhe identitetin kombëtar.
Ngjarja u hap nga Dr. Yllka Filipi, kryetarja e SHSHA-së, e cila theksoi rolin e fjalës si urë lidhëse me rrënjët shqiptare:
“Fjala e shkruar na lidh me të parët, tokën dhe ëndrrat tona. Në çdo libër gjejmë veten, në çdo varg rimëkëmbemi si komb.”
Ajo nxiti edukimin e brezit të ri me dashurinë për leximin për të ruajtur identitetin.
Presidenti i SHSHA-së, Adnan Mehmeti, e quajti tubimin një premtim për të shkruar dhe lexuar, duke e parë kulturën si forcë bashkuese:“Në Amerikë, ne jemi të shpërndarë, por fjala na bën një. Kultura jonë nuk është vetëm trashëgimi; ajo është fuqia që na bashkon, që na bën të pathyeshëm.”
Ky tubim, tha presidenti i SHSHSHA, është një premtim: të shkruajmë, të lexojmë, të tregojmë botës se shqiptarët jetojnë kudo që fjala jonë këndon: “Le të bashkohemi, sepse në çdo faqe ne gjejmë forcën për të qenë një komb.” tha ai.
Krahas promovimit të botimeve të reja të anëtarëve të shoqatës, u shfaq edhe ekspozita e piktorit shkodran George Pali, një homazh ndaj artit dhe kulturës shqiptare.
Producenti i suksesseshem Aurel Naqi e përshkroi ngjarjen si “një festë të fjalës dhe ngjyrës”, ku poezia, piktura dhe bisedat krijuan një atmosferë të ngrohtë.
Tubimi u kthye në një strehë për breza të ndryshëm, nga të rinjtë që kërkojnë rrënjët te të moshuarit që ruajnë kujtimet. Poetët recituan vargje, përkthyesit hapën dritare të reja, dhe diskutimet u shndërruan në rrëfime që forcojnë lidhjet kombëtare.
Nënshkrimet e librave dhe bisedat e sinqerta krijuan momente intime, duke mishëruar unitetin kulturor.
Ky aktivitet, më shumë se një ngjarje letrare, u bë një himn krenarie për shqiptarët në mërgim, duke rikthyer shijen e atdheut përmes prozës dhe poezisë.
Mesazhi këtij tubimi ishte i qartë: “Lexo, shkruaj, trego historinë tënde, sepse në çdo varg jemi të pavdekshëm.”/BS