Nga Prof.dr.Xhavit LIPAJ, Zvicër
A menduam ndonjëherë,
mes bollëkut të pjatave tona,
për ata që tryezën e kanë të thatë,
si shkretëtirë ku nuk mbin as shpresa?
Ne përtypim me ngut,
përdorim lugë të rëndë argjendi,
ndërsa diku një fëmijë
numëron yjet në vend të kafshatave të bukës.
Sa herë një copëz e vogël buke ra në tokë,
e ne e shkelëm si të mos kishte vlerë,
ndërsa diku tjetër një dorë e vogël
do ta mblidhte si pasuri të paçmuar.
Tryeza e thatë nuk është veç boshllëk,
ajo është pasqyrë e ndërgjegjes sonë,
pyetje që rri pezull mbi kokat tona:
“Ku humbi njerëzia, kur buka u bë mall tregu?”
E ç’vlerë kanë muret e mëdha,
shtretërit me çarçafë të bardhë,
nëse zemra është e ngrirë
dhe nuk di të ndajë një copëz me tjetrin?
Ndoshta nesër edhe ne,
të lodhur, të thyer nga koha,
do të ulem në një tryezë të zbrazët
dhe do të presim një dorë të huaj,
që dikur e harruam.
Në heshtje, tryezat e thata na flasin:
mos harroni, buka është jetë,
shpresa është frymë,
dhe njeriu jeton vërtet
vetëm kur e ndan me tjetrin.