Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Myftiu i Myftinisë së BFI-së Strugë, H. Adi ef. Murtishi, pati nderin të pritet në një takim të veçantë nga Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Berlin, z. Ylber Sela, personalitet i spikatur i diplomacisë sonë dhe përfaqësues i denjë i qytetit të Strugës.
Ky takim u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, ku u shkëmbyen mendime për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare dhe përfaqësive shtetërore, si dhe rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, fetar dhe kulturor.

Me këtë rast, Myftiu H. Adi ef. Murtishi përcolli përshëndetjet dhe urimet e Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, duke vlerësuar kontributin e Shkëlqesisë së Tij, Ambasadorit z. Ylber Sela, në afirmimin e vendit tonë dhe në mbështetjen e komunitetit shqiptar në Gjermani.
Takimi u përmbyll me një iftar të përbashkët, në frymën e muajit të bekuar të Ramazanit, ku u theksua rëndësia e unitetit, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.

Myftinia e BFI-së Strugë, nën udhëheqjen e Myftiut H. Adi ef. Murtishi, shpreh mirënjohjen e veçantë për mikpritjen dhe vëmendjen e treguar nga Shkëlqesia e Tij, duke rikonfirmuar përkushtimin për forcimin e lidhjeve me të gjithë bijtë e Strugës dhe për promovimin e vlerave tona të përbashkëta.
Myftinia e BFI-së Strugë




