Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në parlamentin holandez, ku u prit në një takim të përbashkët nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Martin Bosma, dhe kryetari i Senatit, Jan Anthonie Bruijn.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Vendet e Ulëta, Artur Kuko.
Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera intensive politike dypalëshe, shkëmbimet e vizitave të nivelit të lartë dhe theksoi se ky momentum duhet ruajtur dhe bashkëpunimi duhet dhe mund të zgjerohet.
Pozita strategjike e Holandës në Bashkimin Evropian dhe roli i fuqishëm në organizatat ndërkombëtare përbëjnë një oportunitet për realizimin e ambicjeve tona për integrimin europian dhe kontributin në përballimin e sfidave globale.
Spiropali vlerësoi mbështetjen për transformimet demokratike, nëpërmjet programeve të ndihmës për reformën në drejtësi, sundimin e ligjit, fuqizimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Holanda është ndër investitorët kryesorë në Shqipëri dhe Spiropali shprehu interesimin për shtimin e investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar si edhe bashkëpunimin në nivelin lokal. Turizmi dhe sporti po afrojnë më shumë njerëzit e dy vendeve tona.
Kryetarja Spiropali nënvizoi se në kontekstin e zhvillimeve aktuale në marrëdhëniet ndërkombëtare, bashkëpunimi mes dy vendeve mund të përfshijë edhe rivitalizimin e industrisë sonë ushtarake e mbrojtëse, në kuadrin e Programit për Riarmatimin e Evropës“.
Nxitja e bashkëpunimit parlamentar është thelbësor për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Spiropali nënvizoi vullnetin e Kuvendit për intensifikimin e shkëmbimeve me Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin në të gjitha nivelet, mes komisioneve, grupeve të miqësisë dhe deputetëve.
Spiropali vlerësoi mbështetjen e Holandës për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe ndau me homologët objektivin kombëtar strategjik për përfundimin e negociatave teknike të anëtarësimit brenda brenda 2027 dhe anëtarësimin brenda vitit 2030, një objektiv ambicioz, por plotësisht i arritshëm, nëse mbajmë parasysh faktin se Shqipëria është aktualisht vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt anëtarësimit.
“Ne synojmë të zhvillojmë dy konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE në muajt prill dhe qershor, gjatë Presidencës Polake, dhe dy konferenca ndërqeveritare gjatë muajve tetor dhe dhjetor, gjatë Presidencës Daneze.”, tha Spiropali.
Spiropali vuri në dukje rolin aktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin, sigurinë e paqen në rajon, kontributin e Procesit të Berlinit në integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Planit të Rritjes si një mundësi që përshpejton zhvillimin ekonomik dhe rrit mirëqenien e fuqizon kohezionin social në vendet e rajonit.
Kryetarja e Kuvendit Spiropali diskutoi me homologët holandezë edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadrin e Komunitetit Politik Europian dhe organizimin e Samitit të Gjashtë të tij në Tiranë në 16 maj 2025.
Duke vlerëzuar bashkëpunimin mes dy vendeve si anëtarë dhe partnerë në NATO, Spiropali vuri në dukje se mbështetja e palëkundur e Shqipërisë për Ukrainën do të vazhdojë.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ftoi kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Martin Bosma dhe kryetarin e Senatit Jan Anthonie Bruijn për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë./rtsh.al/