Turizmi dhe kulinaria shqiptare u promovuan sot në një nga universitetet më prestigjioze në botë për Hoteleri dhe Turizëm – EHL (École hôtelière de Lausanne), bëri të ditur ambasada e Shqipërisë në Zvicër.
Në Festivalin Universal të organizuar nga ky institucion, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, në bashkëpunim me studentët shqiptarë të EHL, përfaqësoi Shqipërinë me stendën “Albania”, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse shqiptare. Vizitorët patën mundësi të njihen me pasuritë turistike të Shqipërisë përmes videove, fotove dhe materialeve informuese, si dhe të shijojnë gatime tradicionale shqiptare të përgatitura me dashuri nga vetë studentët.

Ky aktivitet u zhvillua në vigjilje të hapjes së sezonit turistik dhe shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për të prezantuar Shqipërinë si një destinacion që pret të zbulohet.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës, i cili u foli studentëve për zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit dhe ftoi të rinjtë të vizitojnë dhe të promovojnë vendin tonë. Shqipëria, një perlë në zemër të Mesdheut, mirëpret botën me bukuritë e saj natyrore, kulturën e pasur dhe mikpritjen unike.
SAM24.info