Shqipëria vijon të jetë në qendër të vëmendjes nga mediat e huaja me shkrimet e tyre për bukuritë natyrore, qytetet plot histori dhe mikpritjen e veçantë. Ky interes është përkthyer edhe në një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve që zgjedhin ta vizitojnë vendin tone.
Tirana mbetet një ndër destinacionet më të pëlqyera.
Gjatë një vëzhgimi në qendër të Tiranës këtë të diel (27 korrik), turistët e huaj shprehën entuziazëm për eksperiencën e tyre në Shqipëri. Ata flasin me admirim për qytetet bregdetare, për ushqimin tradicional, për çmimet e përballueshme dhe për njerëzit e ngrohtë e mikpritës.
“Kam vizituar qytetin e Vlorës, më pas bregdetin dhe mund të them që më ka pëlqyer shumë. Gjithashtu kam vizituar edhe Gjirokastrën dhe më ka lënë mbresa të thella. Për mua është qyteti më interesant i Shqipërisë”, shprehet turisti.
“Kam ardhur me familjen time dy javë më parë. Kemi vizituar Thethin. Jemi kënaqur shumë atje. Natyra është shumë e bukur. Më pas shkuam në jug, në Qeparo ku qëndruam gati një javë. Ishte një vend shumë i bukur”, vlerëson turistja.
“Është dita jonë e parë në Shqipëri. Kemi nisur të eksplorojmë qytetin dhe po shohim këtë shesh fantastik”, tha turisti.
“Sot kemi mbërritur në Shqipëri dhe do të jap përshtypjet e para. Duket një qytet i bukur, i organizuar, i pastër. Sapo kemi nisur ta vizitojmë dhe ndalesa e parë ishte xhamia“, tha një tjetër.
Që nga muzeumet e deri te rrugicat me murale në zonat e vjetra Shqipëria duket se jo vetëm po i fiton zemrat e vizitorëve, por po kthehet në një histori suksesi për turizmin mesdhetar./Katerina Kule, transmeton rtsh