Nga Dashnim HEBIBI
Preshevë, shtator 2025 – Në fshatin Shoshajë u shënua një ditë e veçantë historike për Preshevën dhe gjithë Luginën: përurimi i objektit të ri për fëmijët me nevoja të veçanta. Pas gati një dekade pritjeje dhe shumë sfidash, ky projekt i kahershëm u bë realitet, duke sjellë gëzim të madh për fëmijët, prindërit dhe gjithë komunitetin.
Ardita Sinani: “Ky është një hap i madh drejt barazisë”
Në fjalën e saj, Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, vlerësoi këtë arritje si një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e komunës për barazi dhe përkujdesje për çdo fëmijë:
“Ky objekt nuk është vetëm një shkollë për fëmijët me nevoja të veçanta – është një investim për gjithë komunitetin. Përveç shkollës, këtu gjenden hapësira për çerdhen dhe bashkësinë lokale të Shoshajës. Shpërblimi më i madh janë buzëqeshjet e këtyre fëmijëve dhe gëzimi i prindërve,” tha ajo.
Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” – Zvicër, mesazhi i unitetit
Një rol të veçantë në këtë ngjarje pati Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” në Zvicër, e cila gjithnjë ka qenë pranë vendlindjes me mbështetje të vazhdueshme. Në emër të kryetarit të shoqatës, PhD Dashnim Hebibi, kryesisë dhe anëtarësisë, fjalën e mbajti Kryetari i Nderit, z. Fazli Musliu, ku përshëndeti të parën e qytetit zonjën Sinani dhe të gjithë të pranishmit.
Presheva hap një kapitull të ri: Objekti i ri për fëmijët me nevoja të veçanta – një ëndërr e bërë realitet
“Është nder dhe privilegj që sot të ndajmë me ju këtë ditë të shënuar. Fëmijë të dashur, ju jeni frymëzim për të gjithë ne. Ju dëshmoni se guximi, ëndrrat dhe dashuria janë më të forta se çdo pengesë. Mos harroni: ne jemi një familje e madhe. Të mirat i ndajmë së bashku, e vështirësitë i kapërcejmë dorë për dore,” u shpreh Musliu, duke përcjellë mirënjohjen e veçantë të gjithë kryesisë dhe anëtarësisë së shoqatës.
Ai falënderoi gjithashtu Shoqatën e Prindërve të Fëmijëve dhe të Rinjëve me Aftësi të Kufizuara, duke vlerësuar dashurinë dhe përkushtimin e prindërve si shembull frymëzues për të gjithë komunitetin.
Foto (Modestia e kryetares)
Një investim për të ardhmen
Objekti i ri për fëmijët me nevoja të veçanta përfaqëson një investim afatgjatë për Preshevën dhe Luginën, duke ofruar kushte dinjitoze dhe ambiente moderne për zhvillimin e fëmijëve. Ky projekt është shembull i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore, diasporës dhe shoqatave humanitare.
“E para e qytetit të Preshevës, znj. Ardita Sinani, së bashku me stafin e saj, po punojnë me përkushtim për të mirën e kësaj treve, dhe kjo u vlerësua nga shumë të pranishëm në këtë ngjarje, të cilët theksuan se pavarësisht mundësive të kufizuara, angazhimi i tyre është i madh dhe i sinqertë.”
Mesazh i përbashkët
Në fund të ngjarjes, mesazhi i përbashkët ishte i qartë: Ky është vetëm fillimi. Me përkushtim dhe bashkëpunim, rruga drejt barazisë dhe kujdesit të dinjitetshëm për çdo fëmijë do të vazhdojë.
“Le të jetë ky vit shkollor një udhëtim i mbushur me dije, dritë dhe buzëqeshje. Sepse forca jonë qëndron te bashkimi,” u tha në përmbyllje.
(Foto nga FB)