Nga Arian Galdini, Firenze
Sot, në këtë tren që thyen heshtjen e fushave të panjohura,
unë jam udhëtim i mbështjellë në qelq,
një grimcë malli që dridhet ndër vagona,
një qenie e bërë nga rrugë, kujtime, e premtim i pathënë.
Çdo stacion kalon si një trokitje në brinjët e mia,
çdo peizazh është një fletë e bardhë
ku penat e shpirtit vizatojnë mallin si një pemë të zhveshur,
që pret diellin, që lutet për pak gjelbërim.
Rrugës për Firenze,
çdo mal që ngrihet përtej dritares është kujtim që më bën hije.
Mbi kodrat që ikin pas, shtrihet një fëmijëri që më përshëndet me valë,
rrugë të largëta ku enden hapat e dikujt që s’jam më,
por që jeton i gjallë në çdo frymë.
Në Ditën e Pashkës,
kjo udhë më bëhet kryq i ringjallur,
mbi supe mbaj plagët e heshtura të atdheut,
mbaj premtimet që s’kanë ngjyrë,
mbaj dritën që s’është akoma agim.
Nostalgjia më kafshon ngadalë në brinjë,
si një qen besnik që s’më ndahet në asnjë udhëkryq.
Ajo më flet me zë të ëmbël,
më rrëfen qytete të lëna pas, dashuri të pashprehura,
ndërsa treni përshkon shinat si vena të hapura të jetës time.
E ndiej:
nuk po shkoj vetëm drejt Firences,
po i afrohem vetes së dikurshme,
po kthehem në rrënjët që m’i ka lëkundur malli,
në gjethet që i kam lënë të thahen për misionin.
Çdo urë që kaloj është një amanet i mosardhur,
çdo tunel një lutje pa emër,
çdo dritë që shfaqet tutje është një premtim i shenjtë
që dua ta çoj deri në fundin e rrugës.
Firenze,
më pret me qiej të mbushur me piktura të paprekura,
me statuja që bërtasin përjetësi në heshtje.
Do të më pyesin rrugët e saj:
“Kë kërkon, njeri me mision?”
Unë do të ulem mbi kalldrëmet e lodhura
dhe do të shtrij mallin tim si mantelin e një pelegrini,
do ti fal secilit nga fryma ime
nga lodhja ime
nga dashuria ime që nuk mbaron as në fund të udhës.
Unë vij si një vezullim i qetë,
me një shpirt që ringjallet
jo për të harruar dhimbjen,
por për ta bekuar atë.
Unë vij me një varg që s’ka fund,
me një emër që s’është asnjëherë vetëm një njeri,
por një lumë që shkon të puthë detin
e të kthehet sërish shi në vendlindjen e vet.
Në këtë ditë të shenjtë,
çdo frymë është një udhëkryq,
çdo mall, një dritare që hapet në amshim.
Rrugës për Firenze,
jam njeri që pi nga burimi i vetmisë
dhe kthej në dritë çdo plagë,
derisa misioni im të mos jetë më barrë,
por krah që mbart të gjithë ata që nuk arritën të shkojnë
në qytetin ku ringjallet shpresa.