Rastet e të moshuarve të gjetur të pajetë dhe të dekompozuar në banesat e tyre gjatë këtij sezoni veror janë reflektimi i një realiteti të paekspozuar, siç është rritja e shpejtë e vetmisë.
“E vetme fare! Çfarë do bëj. Kështu na ka ndodhur fati. Dy goca kam, por njërën e kam të sëmurë. Edhe vetë jam verbuar. Është e frikshme se qelbet shtëpia po të ndodhë ndonjë gjë. Dera e mbyllur brenda, vetëm pa njeri… Është e vështirë shumë, por çfarë të bësh,” thotë një e moshuar.
“Jam e vetmuar në shtëpi. Të tre fëmijët i kam të larguar. E përjetojmë shumë keq kur marrim vesh që vdesin të vetmuar dhe s’interesohen fëmijët, është… gjëja më e ulët që ekziston!” thekson një tjetër zonjë.
Alban Ylli, ekspert i geriatrisë, në një intervistë për RTSH tha se bazuar në shifrat e censit, në 11 vite, rritja e të moshuarve të vetmuar është 45%, ndërsa tek burrat kjo është edhe më alarmante, 135%.
“Unë do t’i referohem shifrave të fundit të censusit, ku shëndeti publik ose dizabiliteti rezultojnë në përmirësim krahasimisht me të dhënat e censusit të mëparshëm. Por vetmia nuk ka ndalje. Ajo vazhdon të rritet. Nga 2011-ta deri në vitin 2022, kemi një rritje prej 35% të të moshuarve të vetmuar. Është një rritje që duket edhe më e madhe mes meshkujve dhe ky është një fakt që nuk e kemi pritur. Kemi një rritje prej 135% të vetmisë mes burrave. Sipas përllogaritjeve janë të paktën 45 mijë të moshuar të vetmuar në Shqipëri, të cilët mund të konsiderohen në risk. Jo të gjithë janë në risk të lartë, por një pjesë kanë sëmundje shoqëruese, mund të kenë probleme në komunikim, demencë etj. Pra, risqe që i bëjnë ata vulnerabël,” thekson z. Ylli.
Sipas ekspertit, Shqipëria nuk i ka mjetet për zhvendosjen e të moshuarve drejt qendrave rezidenciale dhe se qëndrimi në komunitet, shtëpitë e tyre janë alternativa më e mirë. Por për t’u kujdesur në banesë mungojnë të dhënat se ku janë dhe çfarë nevojash ata kanë.
“Duhet bërë më shumë në lidhje me identifikimin e tyre dhe me mbajtjen e kontakteve me ta. Reforma në kujdesin shëndetësor parësor që po ndodh në tri vitet e fundit… Qendrat Shëndetësore po pajisen jo vetëm me mjekë dhe infermierë, por edhe psikologë e punonjës socialë, të cilët e kanë të nevojshme një hartëzim të komuniteteve të tyre, të dinë se cilët të moshuar janë në risk të lartë. Do të duhet të bëjnë një plan pune sesi të komunikojnë, si t’i telefonojnë, verifikojnë nivelin e vulnerabilitetit të tyre, që nga mobiliteti e deri tek vetmia e plotë, deri te risku për incidente të tilla. Thirrja ime është që profesionistët e rinj të mbështeten për të punuar më shumë me këtë grup social,” thotë z. Ylli.
95% e atyre që u ofrojnë shërbime të moshuarve të vetmuar janë kujdestarë informalë, ndërsa azili mbetet alternativë e pamundur. “Më mirë të jesh në azil, por azili do pare shumë,” shprehet e moshuara e parë. /Sonila Mlloja, transmeton rtsh.
( Foto ilustrim )