
Nga: Florim Useini, Zvicër
Mbrëmë pata nderin të marr pjesë në një ngjarje të thellë emocionale, organizuar me përkushtim nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, nën kujdesin e z. Vigan Berisha.
Në ambientet e GZ Seebach – Landhus Saal, Zürich, u shfaq dokumentari tronditës “Kthimi në Kosovë”, me regji të Julius Strauss dhe Vaughan Smith.

I nderuar që më shoqëruan: Fadil Asani – Kryetar i Xhamisë Drita në Luzern dhe Visar Robelli – Kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore
Ky dokumentar nuk është thjesht një tregim — është një pasqyrë e dhimbjes, e qëndresës dhe e forcës shpirtërore të njerëzve tanë.
Në qendër të historisë është Besnik Deliu, atëherë një fëmijë i vogël që shpëtoi nga masakra. Historia e tij të shkund shpirtin: është dëshmi e gjallë e barbarisë që ndodhi, por edhe e dritës që nuk u shua kurrë.
Gazetari Julius Strauss ishte zëri që i tregoi botës këtë realitet të hidhur, ndërsa Ymeri, një njeri që mbajti mbi supe barrën e dhimbjeve dhe sakrificave të pamasë, nuk u dorëzua asnjëherë. Përkundrazi — ai u bë shtyllë kurajoje për të gjithë, veçanërisht për Besnikun.
Kjo ngjarje është kujtesë e gjallë se liria e Kosovës nuk erdhi si dhuratë. Ajo u fitua me gjak, qëndresë dhe me zëra të guximshëm që nuk u heshtën.
Detyra jonë është ta mbajmë këtë kujtesë të pastër, ta nderojmë me dinjitet dhe ta përcjellim me krenari brezave që vijnë.