Në kanalin zyrtar të Eurovision në YouTube u publikua videoklipi i këngës “Zjerm” që do të përfaqësojë Shqipërinë në spektaklin europian të këngës. Ajo që bie në sy është numri i lartë i klikimeve të arritura brenda një ore nga publikimi.
Siç e tregojnë edhe shifrat, mbi 20 mijë shikime janë regjistruar në orën e parë, një rekord më vete ky për garën virtuale që po bëhet mes konkurrentëve nga Europa, por edhe Australia e largët.
Ndonëse u publikuan në të njëjtin orar, Shkodra Elektronike “fluturon” me distancë nga dy videoklipet e dy shteteve të tjera konkurrente: Irlanda me vetëm 2 mijë e 200 klikime dhe Letonia me 2 mijë e 700 shikime brenda 1 ore. “Zjerm” lë pas edhe britanikët me 7 mijë e 500 klikime, kënga e të cilëve është publikuar afro 24 orë më parë. Këtë të premte u hodh edhe shorti për prezantimin e këngëve në Eurovision.
Dyshja e këngëtarëve Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca do të ngjiten në skenën magjike natën e parë më 13 maj për të dhuruar një spektakël të vërtetë me këngën e tyre “Zjerm” që ka fituar jo vetëm zemrat e qytetarëve shqiptarë, por edhe më gjerë, njofton rtsh.