/ Zürich, 25.04.2025 /
Në kuadër të aktiviteteve kulturore në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, u mbajt promovimi i librit “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998–99 në Letërsinë shqipe në Kosovë” nga autorja Dr. Blerina Rogova Gaxha, Drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.
Ky libër trajton me ndjeshmëri temën e kujtesës së luftës dhe përjetimeve njerëzore gjatë saj, duke përfshirë njëmbëdhjetë kapituj që analizojnë traumën, kujtesën kolektive dhe individuale, si dhe ndikimin e thellë të luftës në identitetin dhe shoqërinë kosovare.
Ky promovim u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), duke na nderuar me praninë e tij kryetari i saj, z. Musa Jupolli, dhe nën patronatin e Shefit të Misionit në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha.

Falënderojmë me mirënjohje të veçantë autoren Dr. Blerina Rogova Gaxha, z. Musa Jupolli, z. Rexhep Rifati, znj. Shqipe Bytyqi, z. Ramadan Morina, znj. Hyrije Jusufi, z. Mentor Thaqi, si dhe të gjithë pjesëmarrësit që, me përkushtim dhe dashuri për librin dhe kujtesën tonë historike, e bënë të mundur këtë organizim.
Është e rëndësishme të theksohet kontributi i veçantë i z. Vigan Berisha, Shef i Misionit Diplomatik në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, i cili me përkushtimin dhe vizionin e tij ka kthyer sallën modeste të konsullatës në një hapësirë biblioteke, ku libri na thërret dhe na bashkon. Kjo iniciativë, me libra të dhuruar posaçërisht për Konsullatën, është dëshmi e qartë e angazhimit të z. Berisha për të forcuar bashkëpunimin dhe ndërlidhjen mes komunitetit shqiptar në mërgatë.
Përgaditi: D.H