Shkruan: Prof. Dr. Fadil Maloku, Sociolog dhe profesor universitar
Analiza sociologjike:
Fillimisht duhet cekur se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë historikisht një ndër shtyllat kryesore të mbijetesës dhe zhvillimit të shtetësisë. Megjithatë, fitohet përshtypja se këto raporte shpesh janë konceptuar e trajtuar më tepër në mënyrë iracionale–emocionale sesa në mënyrë strategjike–racionale. Në këtë kontekst, “pezullimi i Dialogut Strategjik” nga SHBA-të duhet të shihet jo vetëm si një veprim diplomatik, por edhe si një mesazh paralajmërues me peshë politike dhe sociologjike. Si i tillë, ky mesazh me pak ekuivoke si në formë ashtu edhe në përmbajtje është, pa asnjë dyshim, një ndëshkim apo bllokadë diplomatike që Amerika e përdor shpesh si normë detyrimi dhe “disciplinimi” për shtetet dhe vendet që kanë probleme të natyrës së: kërcënimit të sigurisë dhe stabilitetit rajonal e lokal; rastet që lidhen me implementimin e marrëveshjeve dhe obligimeve ndërkombëtare; si dhe situatat kur nuk ka zbatim të sundimit të ligjit dhe rregullave të “lojës” së qeverisjes vendore të një shteti të caktuar. Në këtë “korpus” obligimesh zakonisht rreshtohen temat e luftimit të krimit e korrupsionit, bashkë me ato të promovimit të transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë publike, si standarde dhe vlera të dëshmuara perëndimore.
I. Historiku i narratives mbi proamerikanizmin e Kosovës;
Që nga vitet ’90, kur doli në skenën politike Lidhja Demokratike bashkë me liderin e saj karizmatik Ibrahim Rugovën, e deri pas luftës, shqiptarët e Kosovës u “bombarduan” me një perceptim pothuajse mitik për SHBA-të. Ky perceptim filloi të ndërtonte një identitet të ri kolektiv mbi bindjen se “Amerika do t’i zgjidhë të gjitha problemet tona”. Më vonë, në vend që ky proamerikanizëm të shoqërohej me lobime afatgjata dhe politika të mirëfillta shtetërore, ai u ushqye kryesisht nga: deklarata politike të padobishme dhe joatraktive; floskula ikonografike që u mirëmbajtën përmes atyre pak mediave; si dhe nga propagandat publike që kishin imperativ pushtetmbajtjen, jo shtetndërtimin. Kjo qasje e nxituar solli që proamerikanizmi kosovar të bëhej një “proamerikanizëm i perceptuar”, i ndërtuar më shumë mbi mit sesa mbi analizë të thelluar të politikës amerikane në Ballkan.
II. Manipulimi i opinionit – mungesë e debatit publik;
Teoria e “pseudo-mjediseve” (Lippmann) tregon shumë qartë se si opinionet publike shpesh krijohen e ndërtohen shumë përmes realiteteve të fabrikuara nga klanet politike dhe mediet proqeveritare. Në rastin e Kosovës, ky fabrikim ka rezultuar me: mungesë të debatit të gjerë publik akademik mbi raportet me SHBA-të; edukim qytetar të njëanshëm dhe mitizues; dhe një perceptim të proamerikanizmit si dogmë për pushtetmbajtje, jo si aset e strategji kombëtare. Ky model, i imponuar nga elitat e atëhershme politike, synoi të prodhonte më shumë ambicie për një “pajtim publik” (public consent) sesa për një legjitimim të pushtetit moral, të cilin shteti i Serbisë e kontestonte kur të donte dhe si të donte.
III. Kriza e tanishme dhe “pezullimi i Dialogut Strategjik”;
Deklarimi i SHBA-ve mbi “pezullimin e Dialogut Strategjik” me Kosovën nuk është vetëm akt politiko-diplomatik, por në fakt është edhe një tregues i sofistikuar për një krizë më të thellë të përfaqësimit në skenën politike. Sociologjikisht, ky “pezullim” sinjalizon një krizë të legjitimitetit afatgjatë të institucioneve; identifikon një populizëm avangard të përkushtuar vetëm për konsum të brendshëm; një përplasje midis perceptimit publik dhe politikës zyrtare; si edhe një rrezik permanent të infiltrimit të interesave ruso-kineze në skenën politike të Kosovës. Kjo gjendje e adresuar me të gjitha këto sintagma dhe cilësime sipas “selamit” të ambasadës amerikane mund të krijojë, përveç një disonance të rrezikshme për interesat strategjike amerikane, edhe një ndëshkim e dyshim të thelluar për qeverinë Kurti 2.
IV. Pasojat dhe disonancat sociopolitike që i “prodhon” kjo status quo–ja;
I gjithë ky projeksion, nëse perceptohet nga perspektiva e një lloj ndërprerjeje apo dyshimi të bazuar në fakte sociopolitike për raportin midis qeverisë Kurti 2 dhe DASH-it, atëherë duhet të kuptojmë se situata qenka mjaft serioze! Ngase, ajo ka shumë gjasa të “kultivojë” ca pasoja të dukshme dhe tejet të prekshme për procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe relacionet Amerikë–Kosovë.
Pyetja që tani duhet të shtrohet është: cilat janë ato pasoja e reperkusione reale, e cilat hipotetike për Qeverinë Kurti 2?
Po provoj të identifikoj disa prej tyre:
Ato reale;
a. Zbehje e kohezionit kombëtar që mund ta fragmentarizojnë ambicien, synimet po edhe frymëzimin për një unitet të ri qytetar;
b. Tensionime e polarizime koherente ideologjike brenda shoqërisë;
c. Reduktim të besimit në institucionet shtetërore; dhe subjektet aktuale politike dhe hapje të mundësive edhe për lëvizje të reja;
d. Rrezik për ridizajnimin e opinionit publik, qoftë drejt neonacionalizmit të brendshëm, qoftë drejt orientimeve të reja gjeopolitike.
Ato hipotetike;
a. Përkrahje dhe rirreshtim enorm ka subjektet që avokojnë vetëm interesat shteërore e kombëtare, ku VV, edhe më tej do e ruaj primatin e kampionit;
b. Ngritje meteorike të popullaritetit të Albin Kurti, si personalitet i pakontestuar në arealin politik jo vetëm në Kosovë, por, edhe më gjerë;
c. Ashpërsim e iritim të mëtejmë me ndëshkimin e prodhuar nga “pezullimi”;
d. Hapje e mundësive për sulme mediatike dhe kërcënime verbale deri në eskalim nga Serbia;
V. “Pezullimi”: alarm apo vetëm një paralajmërim miqësor për Kosovën?
Qytetaria kosovare duhet të jetë e vetëdijshme se imazhet e krijuara artificialisht nga media, elitat politike dhe propagandat nuk mund të zëvendësojnë interesat afatgjata shtetërore dhe kombëtare të vendit. Do shtuar këtu, se tentativa për të krijuar një opinion “sovran” të bazuar mbi interesa pushteti, e jo mbi ndonjë strategji kombëtare, është një miopi politike! Miopi, që në faza afatgjata mund të prodhojë jo vetëm krizë përfaqësimi e legjitimiteti, por edhe polarizim të skajshëm dhe dridhje tektonike në vetë arkitekturën shtetërore të Kosovës. Synim ky që Serbia mezi po e pret!
Dosido, procedurat e anulimit apo heqjes së “pezullimit”, nuk kërkojnë mekanizma të posaçëm,qoftë parlamentarë apo të tjerë, sepse thjeshtë nuk prodhojnë sanksione ligjore e as nuk shënojnë ndonjë formë “denoncimi traktati”. Si i tillë, do thënë se kjo “pauze strategjike” nuk ndërpret partneritetin dhe nuk kërcënon automatikishtbbesimin afatgjatë midis SHBA-ve dhe Kosovës. Ngaqë, dëshmi për këte koherencë të dëshmuar tash e gati tri dekada marrëveshjet për siguri dhe bashkëpunim ushtarak, si edhe ato për ndihmat dhe këshillimet permanente në sferën e stabilitetit rajonal.
VI. “Pezullimi”: disonancë e rrezikshme, apo test për karizmën e Albin Kurtit?
Në anën tjetër këtë “flakareshë” duhet ta pranojmë edhe si mundësi reale dhe si disonancë të rrezikshme për humbjen e statusit të “të përkëdhelurit” në qarqet e nivelit të lartë të DASH-it, në Kongres e sidomos në Pentagon. Sepse, kjo qasje është edhe një standard i dëshmuar që Amerika e kultivon shumë më shumë ndaj aleatëve të ngushtë, se sa ndaj armiqëve të saj. Të paktën këte na e rikujton edhe doktrina e ish kryediplomatit amerikan Henry Kissinger, kur thekson se; ” shumë më vështirë është të mbahesh si mik e aleat i Amerikes, se sa si armik i saj”. Andaj, mund të thuhet se dëmi qoftë në formë a përmbajte simbolike e ka porosinë dhe imperativin që Amerika e përdor shumë ndaj miqve besnikë. E ai ka për qëllime: paralajmërimin për forcimin e besimit në sferat e sigurisë, shmangien e situatave krizologjike dhe minimizimin e mundësive të infiltrimit të interesave ruso-kineze në skenën politike të Kosovës. Mirëpo, në anën tjetër duhet të theksohet se pasojat e “pezullimit…” përveç që janë simbolike e politike, pra pa pasoja juridike, janë edhe disonancë e rrezikshme” që mund të prodhoj reperkusione të theksuara në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. “Pezullimi”, pa asnjë diskutim mund të thuhet se është vërtetë një vrejtje e ashpër diplomatike për politikat e udhëhequra nga Albin Kurti, por në në rastin e Kosovës ajo mund të parashtrohet edhe ndryshe. E kjo ndryshe, sigurisht që ka të bëjë me një dilemë do thoja gati “hamletiane”, se; në ç’masë kjo vrejtje , apo hajde të themi edhe ndëshkim për mosdëgjueshmëri do ndikoj në popullaritetin e tij në qytetarinëme gjerë?
Ngase, ekziston mundësia reale që “pezullimi” të prodhojë edhe kundërefekte në vend të “disciplinimit”‘të supozuar nga sponzoruesi. Këto (kundër)efekte për mendimin tim shansin e testimit do e kenë në zgjedhjet lokale, e sidomos ato kombëtare. Shikuar nga ky këndvështrim, “pezullimi” në fakt mund të prodhoj dy paradigma interesante sociologjike, apo situata të shquara si një “thikë me dy teha”. Pse e themi kështu? Sepse, në të njëjtën kohë ai mundet edhe ta rrisë dukshëm popullaritetin dhe karizmën e Albin Kurtit, por poashtu edhe ta lëndojë në masë të konsiderueshme ate. Por, të shohim ca përgjigje apo variante hipotetike lidhur me këto dilema me përplot natyrë diferencuese e ambivalente.
VII. Popullariteti i Albin Kurtit mes pezullimit dhe paradoksit: ngritje apo rënie?
1.Ekzistojnë gjasat reale që një pjesë e qytetarëve që do të votojnë në zgjedhjet lokale këtë pezullim ta interpretojnë si një dështim total të Ministrisë së Jashtme me gjithë stafin diplomatik të Qeverisë Kurti 2. Por opozita, mediat sociale, bota akademike, e sidomos shoqëria civile, mund të përforcojnë narrativën e dështimit dhe dobësisë së kësaj sfere në raport me ruajtjen e marrëdhënieve strategjike me Amerikën, ku popullariteti ka shumë gjasa të shënojë ulje të dukshme dhe të theksuar.
Sepse, tek perceptimi qytetar, që lehtësisht manipulohet përmes një propagande të sofistikuar dhe të bashkërenduar, ka shumë rëndësi diskursi mbi “pezullimin”. Ata mund të fillojnë të shohin përmes narratives së tillë shumë dobësi në efektivitetin e qeverisjes, duke shkaktuar një ndryshim gradual negativ të popullaritetit.
Pra, gjasat për ngritje të popullaritetit të Kurtit shtohen dukshëm po qe se ai arrin që mediatikisht e politikisht ta bindë qytetarinë për “defektet” e “flakareshës” dhe ta plasojë atë si një presion të sinkronizuar opozitar me elementët e jashtëm që imperativ e kanë vetëm “zhbërjen e sovranitetit përmes Asociacionit” dhe “ndarjes së Kosovës”. Adute këto, me të cilat ai edhe mori pushtetin.
Me këto adute politike, gjasat për ta rritur në mënyrë rapide popullaritetin maksimalizohen aq shumë sa që 500.000 vota bëhen të arritshme papritur. Ky perceptim, i ndërtuar dhe i dizajnuar kështu, ka gjasa reale që Kurtin ta katapultojë në “sytë” e votuesve si një lider të fuqishëm, të pakontestuar, të vendosur, të palëkundur e stoik përballë gjithë presioneve të jashtme dhe gjithë opozitarizmit të brendshëm. Thënë më ndryshe, nëse komunikimi politik me votuesit potencial shfrytëzohet me të gjitha mjetet (media, shoqëri civile, pra “me sloganin e njohur; cep më cep”), duke dëshmuar përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie, efekti i “flakareshës së pezullimit” mund të neutralizohet ose të kthehet në avantazh politik. Në këte kontekst, mendoj se duhet pasur parasysh edhe një fakt që shpeshherë margjinalizohet nga diskursi publik e mediatik, e ai është se: efekti i “pezullimit” mbi popullaritetin e Albin Kurtit nuk është linear. Nga këndvështrimi sociologjik, ai është i ndërmjetësuar nga një sërë faktorësh, si; perceptimi publik mbi përgjegjësinë individuale; propaganda mediatike me natyrë populiste; strategjitë e komunikimit politik që do të adoptojë VV në prag të zgjedhjeve lokale e më vonë edhe atyre nacionale; si edhe shkalla e senzibilizimit qytetar për ta relativizuar apo shfajësuar ndikimin e “pezullimit”. Suma sumarum, temën e “pezullimit”, duhet parë edhe si një lloj “baloni” provues për për t’u testuar ndryshimet eventuale gjeopolitike e gjeostrategjike në rajon e më gjerë…

(Foto ilustrim)