
Nga Fehim ABAZI, Lozanë
Imam -Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë
Dita e 20 Shtatorit 2020 do të mbetet përherë një datë madhështore për komunitetin musliman shqiptar në Zvicër. Në xhaminë e Regensdorfit u mbajt kuvendi historik i bashkimit të dy organizatave ombrellë të xhamive shqiptare, UBISHZ dhe BISHZ.

Prej asaj dite, këto dy organizata u bashkuan në një trup të vetëm që sot njihet si KMSHZ – Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, përfaqësuesi unik i xhamive shqiptare në këtë vend.
Me falënderim të madh ndaj Allahut, sot shënojmë 5 vjet nga ky bashkim i bekuar, i cili ka qenë në të mirën e ruajtjes dhe forcimit jo vetëm të fesë islame, por edhe të kulturës dhe traditës sonë kombëtare.

Gjatë këtyre viteve kemi ndërtuar ura mirëkuptimi e bashkëpunimi, kemi forcuar unitetin dhe kemi punuar me përkushtim për të mbrojtur vlerat që na dallojnë e na bashkojnë. Ky përvjetor na kujton se vetëm me besim, dashuri dhe vëllazëri mund të ecim përpara si komunitet i fortë dhe krenar për rrënjët tona.
Lusim Zotin që ky bashkim të mbetet shembull i paqes, përkushtimit dhe trashëgimisë së gjallë për brezat që do të vijnë.