Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu nuk arrin shumicën e nevojshme për kryeparlamentare
. Në seancën e mbajtur më 27 prill, Haxhiu mori 57 vota pro, 41 kundër dhe 3 abstenime, duke dështuar për të arritur shumicën e nevojshme.
Seanca e ardhshme për konstituimin e Kuvendit është planifikuar për më 29 prill. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u shpreh se Albulena Haxhiu është “gruaja më e votuar gjatë zgjedhjeve” dhe duhet të merrte mbështetje për këtë pozita.
Nga ana tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se zgjidhja për ngërçin politik mund të jetë ndërrimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit, një çështje që, sipas tij, i takon mazhorancës.
“Ne jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje sa më shpejt që është e mundshme. Do të ishte shumë e udhës që presidentja t’i ftonte partitë parlamentare në një takim”, tha ai.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, foli për një “bllokadë politike” dhe i bëri thirrje të gjitha partive politike të reflektonin dhe të vepronin me përgjegjshmëri.
“Të gjitha partitë, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, të veprojnë më përgjegjshëm dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund situatës”, tha Gashi.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shprehu shpresën se Lëvizja Vetëvendosje do të ndërrojë kandidatin për kryeparlamentar, duke theksuar se “do të ishte shumë e udhës të kishte një lëvizje, ndonjë kandidat”.
Ndërkohë, Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës – IRD, Elbert Krasniqi, deklaroi se deputetët e minoritetit janë të gatshëm të votojnë për kandidatin e LVV-së, por theksoi se ata nuk janë të interesuar të jenë në një koalicion ku përfshihet Lista Serbe.
Vetëvendosje ka përsëritur qëndrimin se nuk do të paraqesë kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit, përveç Haxhiut. Ndërkohë, opozita duket se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj, njofton rtsh.