Gjenevë, 12 qershor 2025 – Me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë organizoi dje në Gjenevë, një aktivitet përkujtimor dhe kulturor, duke shfaqur dokumentarin “Kthimi në Kosovë – Një histori lufte, qëndrese dhe ribashkimi”. Filmi ndjek historinë prekëse të Besnik Deliut, pesëvjeçarit që i mbijetoi masakrës së Abrisë së Epërme në vitin 1998, përmes rrëfimit të gazetarit britanik Julius Strauss dhe pamjeve autentike nga Vaughan Smith.

Pas shfaqjes u mbajt një diskutim me pjesëmarrjen e protagonistit Besnik Deliu, gazetares zvicerane Veronique Pasquier dhe producentes së dokumentarit Lemane Kamberi-Muriqi
Në këtë veprimtari, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë u përfaqësua nga Këshilltarja znj. Monika Zguro dhe Sekretari i Parë z. Valon Gashi. Të pranishmit theksuan rëndësinë e kujtesës historike, të vërtetës dhe drejtësisë për viktimat e luftës në Kosovë.
Dokumentari dhe diskutimi pasues shërbyen si një homazh për sakrificën dhe qëndresën e popullit të Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë./Ambasada e Shqipërisë në Bernë