Dietikon, 19 Prill 2025 – Me rastin e festës së shenjtë të Pashkëve, Institutit Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore dhe helveticAlforum.ch, me seli në Dietikon të Zvicrës, u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, kudo që ndodhen – në atdhe apo në mërgatë.
Pashkët janë më shumë se një festë fetare. Ato janë simbol i ringjalljes shpirtërore, i fitores së jetës mbi vdekjen, shpresës mbi dëshpërimin dhe dritës pas çdo errësire. Kjo festë na rikujton se, pavarësisht sfidave të kohës, ne si komb kemi ditur gjithmonë të qëndrojmë të bashkuar – të lidhur nga gjaku, gjuha, historia dhe dashuria për njëri-tjetrin.
Në çdo cep të globit, shqiptarët janë shembull i harmonisë ndërfetare. Ne kemi ditur të ruajmë e të kultivojmë vëllazërinë mes nesh – pa dallim feje – dhe kjo është një pasuri që do ta trashëgojmë brez pas brezi, sepse ajo që na bashkon mbi të gjitha është gjuha dhe kombi.
Në këto ditë të bekuara, kur shumëkush është larg familjes dhe atdheut, le të jemi më afër në zemër, me dashuri, falje dhe solidaritet. Pashkët janë thirrje për të besuar më shumë në të mirën, për të ndërtuar ura bashkimi dhe për të forcuar identitetin tonë kombëtar.
Në emër të Institutit Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore dhe helveticAlforum.ch, urojmë që festa e Pashkëve të sjellë shëndet, paqe dhe begati në çdo shtëpi shqiptare.
Gëzuar Pashkët dhe për shumë mot!
Zoti e bekoftë kombin tonë shqiptar, Zvicrën mike dhe të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë.
Le të jemi gjithmonë të bashkuar, në emër të historisë, gjuhës, e sakrificës, për një të ardhme më të ndritur e më të denjë për çdo brez që vjen.