

Arben Kurteshi Përveç filozofisë ekonomike, Kurteshi trajton edhe një sërë temash të rëndësishme shoqërore
Përmes platformës mediale sam 24 Info, ai dëshiron të njoftojë të gjithë bashkatdhetarët tanë se ky libër i tij i fundit tashmë ka dalë në dritë dhe pret të lexohet me vëmendje e dashamirësi.
VËSHTRIM RRETH LIBRIT PAK FILOZOFI TË SHKRIMTARIT ARBEN KURTESHI
Parathënie nga Fatmir Halimi, Prishtinë
Shkrimtari dhe poeti Arben Kurteshi është tashmë i njohur në letrat shqipe përmes veprave të tij të suksesshme, si libri poetik Tingujt e zemrës, roma-ni Plisi, Shfaqje teatrale, Macja Artë. Me veprën e pasuruar me shkrime të shumta në ribotim Pak filozofi, autori hap një dimension të ri në krijimtarinë e tij, duke hyrë në botën e mendimit filozofik.
Ky libër paraqet një përpjekje serioze për të reflektuar mbi filozofinë, veçanërisht atë të zhvillimit ekonomik, duke u mbështetur në përvojat dhe praktikat e shteteve të zhvilluara si Gjermania, Zvicra, Japonia e të tjera. Autori jo vetëm që tregon njohuri të thelluara në këtë fushë, por arrin t’i lidhë ato ngushtë me realitetin ekonomik të Kosovës.
Nëpërmjet analizës së situatës aktuale, ai ofron një pasqyrë të qartë të ngecjeve dhe sfidave të zhvillimit ekonomik të vendit, duke propozuar rrugëdalje të argumentuara dhe shembuj konkretë nga vendet që kanë kaluar nëpër faza të ngjashme zhvillimi, si Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore dhe disa vende afrikane.
Përveç filozofisë ekonomike, Kurteshi trajton edhe një sërë temash të rëndësishme shoqërore, kombëtare dhe politike, siç janë atdhedashuria, zana-filla e lirisë, mundësia e bashkimit kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe pozicionimi politik i shoqërisë shqiptare përballë sfidave moderne.
Veçori e veçantë e librit është përfshirja e thënieve nga mendimtarë të mëdhenj botërorë që pasurojnë secilën temë. Për shembull, në temën “Ku është zanafilla e lirisë?” citohet Mahatma Gandhi:
“Së pari të injorojnë, pastaj të qeshin, më pas të luftojnë, në fund triumfon!”
Po ashtu, Hermann Hesse thotë:
“Duhet të provosh të pamundurën për të arritur të mundshmen.”
Ndërsa një thënie irlandeze përkujton:
“Një komb që e mban një sy nga e kaluara është i mençur; një komb që i mban dy sytë nga e kaluara është i verbër.”
Një nga temat më të ndjera është ajo për nënën shqiptare, ku autori e lidh rregullimin dhe menaxhimin shtetëror me urtësinë, parimet dhe forcën e një nëne që ruan strukturën dhe dinjitetin e familjes përballë sfidave. Në temën “Nënat”, Kurteshi sjell thënie të pahar-rueshme, si:
“Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të njohë.” – Johann Pestalozzi
“Zemra e nënës është si klasa mësimore e fëmijës.” – Henry Ward Beecher
Pak filozofi është një libër i veçantë në letërsinë dhe publicistikën shqiptare. Edhe në aspektin fizik, ky libër bie në sy është më i vogël se formatet standarde, i përshtatshëm për t’u mbajtur me vete, çka e bën atë ideal për lexuesin e sotëm aktiv, i cili kërkon përmbajtje me vlerë në çdo kohë dhe vend.
Autorit Arben Kurteshi i urojmë suksese të mëtejshme dhe prurje të reja në pasurimin e kulturës sonë letrare dhe mendimit filozofik kombëtar.
I urojmë suksese dhe presim edhe libra të tjerë.
SAM24.info