Përgaditi Dashnim HEBIBI, Prishtinë
Një ngjarje e madhe shkencore që afirmon rolin e Kosovës në hartën ndërkombëtare të dijes dhe inovacionit mjekësor
Në një atmosferë të ngrohtë akademike dhe profesionale, Prishtina u bë dje qendra e dijes, kërkimit dhe inovacionit shkencor në fushën e mjekësisë dhe stomatologjisë bashkëkohore. Konferenca e 14-të Ndërkombëtare e Stomatologjisë, e organizuar me shumë përkushtim nga UBT, mblodhi në një vend profesionistë, akademikë dhe studiues nga vende të ndryshme të botës, duke ofruar një hapësirë të vyer për shkëmbimin e përvojave dhe ideve për zhvillimin e stomatologjisë moderne.
Një moment i veçantë i konferencës ishte pjesëmarrja e Prof. Dr. Xhavit Lipajt, një prej personaliteteve më të njohura të mjekësisë moderne në fushën e demencës, jo vetëm në Zvicër, por edhe në rang ndërkombëtar. Punimet e tij shkencore praktikohen në universitete prestigjioze të Evropës dhe më gjerë, ndërsa përvoja e tij e gjatë si drejtues i spitalit të njohur në Andermatt të Zvicrës, si dhe kontributet e tij të shumta akademike me dhjetëra referime shkencore, e bëjnë atë një figurë të rrallë të përkushtimit profesional dhe human.

Prof. Lipaj erdhi enkas në Prishtinë për të marrë pjesë në këtë konferencë, duke shprehur gatishmërinë e tij të plotë për të kontribuar në zhvillimin e shkencës dhe arsimit mjekësor edhe në Kosovë – në vendin ku është rritur, të cilin e mban thellë në zemër dhe ku familja e tij ka dhënë kontribute të shumta. Me shumë ndjeshmëri, ai përmendi edhe nënën e tij të ndjerë, një figurë që e kujton me respekt dhe dashuri të veçantë.
Në fjalën e tij, Prof. Dr. Xhavit Lipaj përshkroi emocionet dhe përvojën e tij në këtë ngjarje të rëndësishme shkencore, duke theksuar:
“Pjesëmarrja në këtë konferencë më forcoi bindjen se bashkëpunimi ndërmjet brezave, institucioneve dhe vendeve është çelësi i përparimit të vërtetë shkencor. Kujdesi për shëndetin oral të të moshuarve është më shumë se një detyrë profesionale – është një mision human dhe etik, që lidhet me dinjitetin dhe mirëqenien e njeriut në çdo etapë të jetës. Faleminderit UBT-së për organizimin e mrekullueshëm, për hapësirën e shkëlqyer akademike që krijoi, si dhe të gjithë pjesëmarrësve për dialogun frytdhënës dhe përkushtimin ndaj avancimit të shkencës dhe shërbimit ndaj njeriut.”
Në këtë konferencë madhështore, Prof. Lipaj pati gjithashtu nderin të prezantojë temën “Stomatologjia Geriatrike – Dinjiteti përmes Kujdesit Oral në Moshën e Tretë”, një fushë që po fiton rëndësi të veçantë në realitetin tonë shoqëror të plakjes demografike.
Gjatë prezantimit, ai theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje holistike dhe humane ndaj të moshuarve, duke nënvizuar se çdo ndërhyrje dentare, çdo buzëqeshje dhe çdo akt kujdesi oral nuk janë vetëm veprime mjekësore, por shprehje të respektit, dinjitetit dhe kujdesit njerëzor ndaj një brezi që ka dhënë shumë për shoqërinë tonë.
Tematika trajtoi gjithashtu nevojën për krijimin e strukturave të specializuara, për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të kujdesit afatgjatë dhe profesionistëve të shëndetit oral, si dhe për përfshirjen e edukimit geriatrik në formimin profesional të brezave të rinj të stomatologëve. Vetëm përmes një qasjeje të tillë gjithëpërfshirëse, u theksua, mund të sigurohet që kujdesi oral të jetë një komponent thelbësor i cilësisë së jetës në pleqëri.
Përvoja në këtë konferencë u vlerësua nga pjesëmarrësit si inspiruese dhe jashtëzakonisht e vlefshme, duke ofruar mundësi për ndarjen e ideve me kolegë ndërkombëtarë, për mësimin nga praktikat më të mira dhe për ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit në fushën e kërkimit dhe inovacionit shkencor.
Konferenca e 14-të Ndërkombëtare e Stomatologjisë dëshmoi se Kosova po konsolidohet si një qendër e rëndësishme e dijes dhe inovacionit shkencor në rajon, ndërsa UBT vazhdon të jetë një urë lidhëse mes profesionistëve, brezave dhe institucioneve të dijes, duke afirmuar vlerat e humanizmit dhe përkushtimit ndaj shërbimit ndaj njeriut. /SAM24.info
