Përgaditi: Dashnim HEBIBI
Zürich, 02.07.2025 – Pas një pune me shumë përkushtim dhe shumë takime brenda vitit shkollor, përveç angazhimeve të përditshme, stafi i LAPSH-it për Cyrih dha gjithçka që gjuha shqipe të mësohet ashtu si duhet.
Është e vërtetë se stafi i LAPSH-it për Cyrih njihet për punë konkrete e jo për krekosje. Punë – dhe vetëm punë. Mjafton të shohësh në manifestimet që organizojnë: marrin pjesë mbi 1 mijë bashkatdhetarë. I gjithë stafi janë një, dhe të gjithë respektohen mes veti.

Na la përshtypje edhe bashkëpunimi në fund të këtij viti shkollor, kur ata u takuan për të diskutuar se si shkoi viti shkollor dhe për të falënderuar njëri-tjetrin. Këtë takim kryesia e LAPSH e përshkruan me këto fjalë:
Mbledhja përmbyllëse e LAPSH Cyrih për vitin shkollor 2024/2025
Më 30.06.2025, u zhvillua mbledhja përmbyllëse e LAPSH Cyrih, e cila shënoi fundin e vitit shkollor 2024/2025. Në këtë mbledhje u raportua nga të gjithë mësuesit për përmbylljen me sukses të këtij viti shkollor dhe arritjen e rezultateve të nxënësve gjatë këtij viti.
Një nga pikat kryesore të mbledhjes ishte nënshkrimi i dëftesave për 22 nxënësit që përfunduan me sukses mësimin në gjuhën shqipe, ku të shtunën, më 5 korrik, do të mbahet ceremonia e ndarjes së diplomave në Rinora 4.
Ky moment është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin arsimor dhe kulturor të fëmijëve tanë në mërgatë, duke u dhënë atyre vlerësimin e merituar për punën dhe përkushtimin gjatë këtyre viteve në mësimin e gjuhës shqipe.

LAPSH Cyrih falënderon të gjithë prindërit, mësuesit dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen e pandërprerë dhe përkushtimin ndaj ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar në mërgatë.
Të shtunën, më 5 korrik, do të mbahet një manifestim i veçantë ku do të ndahen diplomat për nxënësit që e përfunduan vitin shkollor në shkollën plotësuese shqipe për kantonin e Cyrihut.
Fotografia: Lulzim Hasi