DRITON GASHI: VLERËSIM I VEPRËS „LEKSIKON ENCIKLOPEDIK“ – PERSONALITETE SHQIPTARE NË GJERMANI, AUTORË ARGJEND HASANI & ABDULLAH TROSHUPA
Shkruan: Driton Gashi
Migrimi nuk do të thotë vetëm të lëvizësh nga një vend në tjetrin. Këtu bëhet fjalë për ndryshime rrënjësore në jetën dhe në botëkuptimin e njeriut. Migrimi do të thotë ta lësh atdheun pas dhe të nisesh në një drejtim të panjohur. Është një fillim i ri, i cili kërkon shumë guxim dhe vendosmëri. Filozofi kinez Laozi citohet të ketë thënë: “Një rrugë e gjatë gjithmonë fillon me hapin e parë!”.

Ky hap drejt të panjohurës mund të ketë shumë arsye:
– kërkimi i kushteve më të mira jetësore,
– gjasa më të mira për punësim,
– avancim personal,
– emigrim për arsye ekonomike dhe politike.
Migrimi e sfidon njeriun ta lë zonën e rehatisë dhe të hapet për kultura dhe forma të reja jetese.
Nga këndvështrimi psikologjik, migrimi vë në lëvizje një proces të ndërrimit të identitetit. I mërguari duhet patjetër të ballafaqohet me çështjet e përkatësisë dhe mënyrën se si ai e percepton botën dhe veten e tij. Në njërën anë, kjo mund të shkaktojë stres dhe pasiguri, besa edhe trauma, siç kanë konstatuar psikoanalistët argjentinas Leon dhe Rebecca Grinberg në librin e tyre të famshëm “Psikoanaliza e migrimeve dhe ikjes” në vitin 1990. Por, në anën tjetër, fillimi i ri në vend të huaj mund të ofrojë mundësi që i mërguari nuk i ka pasur në atdheun e tij dhe mund të zhvillohet shumë e të ecën përpara si personalitet. T’i thyej kufijtë që e kanë penguar në të kaluarën dhe të zbulojë shumë anë të reja nga vetja e tij.
Sfida e madhe që duhet tejkaluar, është arritja e një drejtpeshimi mes ruajtjes së rrënjëve kulturore nga vendlindja dhe integrimit në ambientin e ri. Ky proces mund të kontribuojë në rritjen e horizontit dhe të një mirëkuptimi të thellë të shumëllojshmërisë kulturore.
E pikërisht këtë sfidë aq të madhe e kanë përballuar me shumë mjeshtëri protagonistët e Leksikonit enciklopedik – Personalitete shqiptare në Gjermani të autorëve të vyer, Argjend Hasani dhe Abdullah Troshupa. Duke e shfletuar këtë vepër të mirëfilltë, lexuesi do të njihet me biografitë dhe veprimtaritë e profesionistëve të fushave të ndryshme dhe do mësojë shumë për rrugëtimin e mërgimtarëve shqiptarë në Gjermani. Për fillimet e vështira, për mallin për vendlindjen e lënë në gjendje të pa lakmueshme, për kontributin e tyre të pareshtur për të mirën e atdheut nga vitet shtatëdhjetë e deri në ditët sotme, për ballafaqimin me një gjuhë të re e jo të lehtë për t’u përvetësuar, ndeshjen me një kulturë të re pune e komunikimi e shumë e shumë aspekte të tjera.
Autori ka përzgjedhur personalitete nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët me veprat dhe sukseset e tyre janë përfaqësues të denjë të kombit tonë. Jetëshkrimi i tyre padyshim se përmban aspekte të përbashkëta, por natyrisht se ka shumë dallime mes tyre, duke u nisur nga parimi i individualitetit dhe i vetëpërgjegjësisë, i cili në kulturën gjermane zë vend të veçantë. Kjo do të thotë se puna e madhe, mësimi i gjuhës në nivel të lartë, studimet, gatishmëria për përshtatshmëri në kulturën e re, kontaktet me vendës, pjesëmarrja në jetën shoqërore, kulturore e politike, toleranca dhe pranimi i diversitetit etj., patjetër se do sjellin frytet e tyre. Por, nuk duhet harruar në këtë kontekst se jo secili mërgimtar sjell resurset e njëjta nga atdheu, nga të cilët përfiton pastaj edhe në vend të huaj.
Edhe fatet nuk janë gjithmonë njësoj. Jo pak bashkatdhetarë tanë, deri në ditët e sotme nuk e kanë mësuar gjuhën gjermane në masë të duhur, pasi që politikat e integrimit në Gjermani gjatë viteve nëntëdhjetë nuk kanë qenë aq afruese për refugjatë. Po ashtu edhe mosrregullimi i dokumenteve të qëndrimit ka pasur ndikim negativ në ndjenjën e tyre të përkatësisë.
Fatmirësisht, shumica e bashkatdhetarëve tanë janë sistemuar në punë, kanë hapur kompani private, fëmijët e tyre korrin suksese në shkollim profesional e në studime, disa prej tyre angazhohen edhe në politikën gjermane, çfarë do të thotë se ata tashmë identifikohen edhe me vendin e tyre, Gjermaninë.
Publikimi i historive të suksesit të mërgimtarëve me siguri se ka një efekt të veçantë, qoftë në atdhe, por edhe në qarqe mërgimtarësh. Ata shërbejnë si shembuj, se puna dhe angazhimi maksimal gjithmonë ia vlejnë. Megjithatë, uroj dhe shpresoj që në të ardhmen rastet pozitivë të konsiderohen si normalë, si të natyrshëm, e jo si diçka të jashtëzakonshëm.
Besoj se mërgimtarët shqiptarë e kanë dëshmuar me gjithë qenien e tyre atdhedashurinë e pakusht ndër dekada e shekuj, andaj ka ardhur koha të prezantohen me kokën lart, me krenari dhe me vetëbesim më të theksuar, qoftë në atdhe apo në vendet ku jetojnë. Nuk kanë nevojë të justifikohen pse e kanë lënë atdheun ose sa kanë dhënë për të. Kjo punë tashmë dihet. E rëndësishme është mos të ndihen inferiorë, por të konsiderohen si qytetarë të barabartë, në atdhe e në mërgatë, pa u konfrontuar me presionin se cili ka qenë kontributi i tyre.
Jam i bindur që ky leksikon do të përçojë gjithandej nëpër botë një fytyrë të re shqiptare, një imazh të mirë, një frymë bashkëkohore e iluministe, një kulturë evropiane e qytetëruese!
Autorët Argjend Hasanin dhe Abdullah Troshupën i përgëzoj për iniciativën dhe iu uroj shumë suksese!
SAM24.info