Nga: Dashnim HEBIBI
Prishtinë, 21 gusht 2025 – Bashkatdhetari i njohur që jeton dhe vepron në Belgjikë, Memedali Ahmedi, i cili njihet për kontributin e tij kombëtar dhe humanitar, gjatë qëndrimit në Kosovë përjetoi një rast që dëshmon edhe një herë se ndershmëria dhe zemërgjerësia shqiptare janë vlera që mbeten të gjalla.
Të martën pasdite, më 19 gusht, ai kishte vendosur ta kalonte kohën me bashkëshorten në Prishtinë, duke vizituar një qendër tregtare dhe Sheshin “Zahir Pajaziti”. Gjatë kohës kur po zhvilloheshin ritualet fetare, z. Ahmedi humbi çantën e tij personale, ku kishte dokumente shumë të rëndësishme, telefona, karta bankare, çelësin e automjetit dhe sende të tjera.
Rasti mori një kthesë të papritur, por të gëzueshme. Çanta u gjet nga qytetari Qamil Gashi, i cili nuk hezitoi ta dorëzonte menjëherë në Policinë e Kosovës dhe të kontaktonte me miqtë e z. Ahmedi, duke treguar ndershmëri dhe përgjegjësi të lartë qytetare.
“Qamil Gashi më ktheu jo vetëm çantën, por edhe gëzimin. Zoti e shpërbleftë dhe e gëzoftë sikur më gëzoi mua sonte,” – u shpreh me emocion Memedali Ahmedi, duke falënderuar nga zemra veprimin e tij fisnik.
Bashkatdhetari gjithashtu shprehu mirënjohje të veçantë për Policinë e Kosovës. Ai tregoi se nga vendi ku humbi çantën e deri te Stacioni Policor nr. 92, çdo polic që takoi i ofroi ndihmë dhe udhëzime me fjalë vëllazërore. Në stacion, policët e pritën me sjellje shembullore dhe pas verifikimit zyrtar ia dorëzuan çantën.
“Ky rast është dëshmi se Kosova mbetet zemra e Shqipës, vend ku njeriu i ndershëm e i drejtë e ruan dinjitetin dhe vlerat tona kombëtare,” – përfundoi Ahmedi. /SAM24.info