Nga: Shukrije RAMADANI, Bernë
Kjo fundjavë ishte një rrugëtim i mbushur me krenari, emocion dhe vlerësim për gjithçka që përfaqëson gruaja shqiptare në diasporë – forcë, sukses dhe shpirt bashkësie.
E premtja nisi me një event frymëzues të organizuar nga grupi më i ri SwissAlbWomen. Zonja dhe zonjusha shqiptare, të suksesshme në fusha të ndryshme, u mblodhën për të ndarë përvoja, për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar ura të reja komunikimi e mbështetjeje. Atmosfera ishte e mbushur me energji pozitive, vizione të qarta dhe dëshirë të sinqertë për përkrahje të ndërsjellë.

Të shtunën, emocioni arriti kulmin me kremtimin e 30-vjetorit të Ansamblit “Vatra”, një prej simboleve më të qëndrueshme të ruajtjes së identitetit kulturor shqiptar në mërgatë. Të jem pjesë e këtij përvjetori dhe të vlerësohem për bashkëpunimin ndër vite ishte një nder i veçantë për mua – një kujtesë e fuqishme se rrënjët tona janë burim force dhe krenarie.

E diela solli dy aktivitete të jashtëzakonshme. Në paradite, në një organizim të përbashkët të SheLadies dhe Albinfo, u zhvillua një takim inspirues me gra të suksesshme në fusha të ndryshme të jetës dhe biznesit. Rrëfimet prekëse, mbështetja e ndërsjellë dhe ndjenja e fortë e komunitetit e bënë këtë takim veçanërisht domethënës.

Gjatë këtij rrugëtimi, pata nderin të pranoja çmimin “Gruaja Frymëzuese e Diasporës” nga Global Woman of Diaspora – një vlerësim që më motivon të vazhdoj me përkushtim misionin tim për përfaqësim dhe përkrahje aktive të komunitetit shqiptar. Ky çmim, i dorëzuar nga znj. Nereida Biqaku – një grua frymëzuese vetë – e bëri momentin edhe më të paharrueshëm.

Mbrëmja u përmbyll me një pjesë teatrale brilante nën konceptin e artistit të mirënjohur Dan Morina. Profesionalizmi i aktoreve dhe interaktiviteti i veçantë krijuan një përjetim artistik të thellë, plot ndjeshmëri dhe gëzim.

Një falënderim i veçantë shkon për organizatorët, pjesëmarrësit, dhe mbi të gjitha për prindërit që udhëheqin fëmijët drejt rrënjëve tona kulturore. Sepse përmes tyre ndërtojmë urat më të forta të bashkëpunimit, përkatësisë dhe frymëzimit.
SAM24.info