”Intervistë me shefin e Misionit të Kosovës në Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari, botuar në revistën “Interiorissimi”

“Inetriorissimi”: Shkëlqesia Juaj, faleminderit për intervistën! Le të fillojmë me një pyetje në lidhje me rolin e diplomacisë në promovimin e marrëdhënieve ekonomike. Si Ambasador i Kosovës në Selinë e Shenjtë, çfarë mundësish shihni për forcimin e kohezionit ekonomik midis Italisë dhe Kosovës, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të)?
Miftari: Faleminderit për mundësinë! Selia e Shenjtë, edhe pse nuk është veprues tradicional ekonomik, përfaqëson një pikë të rëndësishme takimi për vlera universale si paqja, bashkëpunimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm, të cilat janë thelbësore për krijimin e një klime të favorshme për shkëmbime ekonomike.
Italia dhe Kosova ndajnë histori bashkëpunimi dhe interes të fortë për zhvillimin e ndërsjellë.
NVM-të, të cilat janë zemra e ekonomisë italiane dhe asaj të Kosovës, mund të përfitojnë shumë nga një integrim më i madh. Unë shoh mundësi në sektorë të tillë si agro-ushqimi, energjetika, turizmi dhe teknologjia informative, ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme italiane mund të gjejnë një treg dinamik dhe në rritje në Kosovë, ndërsa kompanitë kosovare mund të mësojnë nga përvoja italiane në aspektin e cilësisë dhe të inovacionit.
“Inetriorissimi”: Kosova është vend i ri me një ekonomi në zhvillim. Cilët sektorë i shihni si më premtues për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme italiane që kërkojnë të investojnë ose të bashkëpunojnë me partnerë kosovarë?
Miftari: Kosova ofron mjedis ekonomik të ri dhe fleksibël, me një popullsi dinamike dhe me vendndodhje strategjike në Ballkan. Sektorë të tillë si bujqësia, teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, infrastruktura, energjia dhe minierat janë në rritje dhe ka të ngjarë të tërheqin investime të mëtejshme të huaja direkte në vitet e ardhshme.
NVM-të italiane, me përvojën e tyre në këta sektorë, mund të bashkëpunojnë për të përmirësuar cilësinë e produkteve të Kosovës dhe për të hyrë në tregje të reja. Për më tepër, IT është një sektor në rritje, me talente të reja kosovare që mund të mbështesin partneritete teknologjike me kompanitë italiane. Kosova ka gjithashtu potencial të madh turistik, falë historisë së saj të pasur kulturore dhe bukurisë natyrore, siç janë Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe rruga Dinarika, një projekt në të cilin mori pjesë edhe Italia.
“Inetriorissimi”: Italia ka demonstruar një angazhim të fortë për të mbështetur Kosovën, edhe përmes projekteve të bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik, siç është mbështetja e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor (AICS) për turizmin. Si mund t’u sjellin këto projekte dobi ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme?
Miftari: Projektet e bashkëpunimit, si ato të financuara nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor (AICS), janë thelbësore për ndërtimin e urave midis dy vendeve. Për shembull, projekti “NaturKosovo”, i cili promovon turizmin e qëndrueshëm përgjatë rrugës Dinarike, jo vetëm që zgjeron burimet e Kosovës, por krijon gjithashtu mundësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme lokale dhe italiane, të cilat mund të bashkëpunojnë në aktivitete të tilla si promovimi i turizmit dhe i prodhimeve vendore. Këto projekte forcojnë besimin midis komuniteteve të biznesit dhe lehtësojnë krijimin e rrjeteve tregtare. Për më tepër, janë ndërmarrë shumë iniciativa.
Në fushën e arsimit, për shembull, ekziston një lëvizje për të përfshirë gjuhën italiane në shkollat dhe universitetet e Kosovës. Në Universitetin e Prishtines, për shembull, ekziston një qendër e madhe e kulturës dhe gjuhës italiane që po i ndihmon të rinjtë të kuptojnë më mirë kulturën italiane dhe të marrin pjesë në iniciativa kulturore dhe biznesi. Numri i studentëve që marrin pjesë në aktivitetet e qendrës dhe që zgjedhin italishten si gjuhë të dytë të huaj po rritet vazhdimisht. Universitete të tjera, si Kolegji UBT, i cili është i specializuar kryesisht në programet e IT-së, po përgatitet ta përfshijë italishten në kurrikulat e veta. Në këtë mënyrë, ne po i afrojmë të rinjtë e të rejat e Kosovës me kulturën e bizneset italiane, veçanërisht në sektorin e IT-së.
Iniciativa të tjera, të tilla si transmetimi i përmbajtjes së RAI-t në Televizionin e Kosovës (RTK), dhe pjesëmarrja e Kosovës në iniciativa dhe ngjarje të ndryshme kulturore, të tilla si Panairi i Librit në Torino, mund t’i afrojnë edhe më shumë dy popujt, duke krijuar një klimë të favorshme për investime.
“Inetriorissimi”: Me çfarë sfidash mund të përballen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme italiane në tregun e Kosovës dhe si mund t’i mbështesë ato Misioni i Kosovës në Selinë e Shenjtë?
Miftari: Ekonomia e Kosovës është një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë. Megjithatë, Kosova ofron stimuj tatimorë dhe kosto konkurruese të punës, të cilat mund të jenë të dobishme. Misionet diplomatike të Kosovës gjithandej përpiqen të ofruojnë informacion dhe mbështetje për bizneset e huaja.
Ne sigurisht mund të lehtësojmë kontaktet me institucionet e Kosovës, të promovojmë ngjarje për bashkimin midis ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të rrisim ndërgjegjësimin për mundësitë e investimeve.
“Inetriorissimi”: Kohezioni midis Italisë dhe Kosovës varet gjithashtu nga vlerat e përbashkëta. Si mund të ndihmojë dialogu me Selinë e Shenjtë në forcimin e këtyre lidhjeve?
Miftari: Selia e Shenjtë është një faktor global që promovon vlera të tilla si solidariteti, paqja dhe drejtësia sociale, të cilat janë themeli i bashkëpunimit të qëndrueshëm ekonomik. Dialogu me Selinë e Shenjtë na lejon të theksojmë rëndësinë e zhvillimit gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh komunitetet lokale dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Kjo qasje është në përputhje edhe me angazhimin e Italisë ndaj Kosovës. Duke forcuar këto vlera të përbashkëta, ne mund të krijojmë një mjedis besimi që nxit investimet e NVM-ve dhe bashkëpunimin ekonomik.
“Inetriorissimi”: Një pyetje e fundit: çfarë mesazhi do të dëshironit t’u dërgonit NVM-ve italiane të interesuara për Kosovën?
Miftari: Kosova është një vend i ri, plot mundësi për ata që janë të gatshëm të investojnë me një vizion afatgjatë. NVM-të italiane, me përvojën dhe kreativitetin e tyre, mund të gjejnë partnerë idealë në Kosovë për t’u rritur së bashku.
I ftoj sipërmarrësit të vizitojnë vendin tonë, të zbulojnë potencialin e tij dhe të bashkëpunojnë me kompanitë tona për të ndërtuar një të ardhme me prosperitet të përbashkët. Misioni ynë është i gatshëm t’ju mbështesë në këtë udhëtim.
“Inetriorissimi”: Shkëlqesia Juaj, faleminderit për kohën dhe fjalët tuaja të mira! Shpresojmë që kjo intervistë të frymëzojë bashkëpunime të reja midis Italisë dhe Kosovës.
Miftari: Faleminderit. Jam i sigurt se së bashku mund të ndërtojmë ura gjithnjë e më të forta midis vendeve tona.
(Intervistoi: Giovanni Firera)
Përgaditi: D.H / SAM24.info