/ Nga: Rudi BERISHA, Kosovë/
Nëna është krijesa më e butë dhe e dashur për fëmijën e saj. Me dashurinë e nënës nuk ka thesar që krahasohet, sepse vetë thesar është fjala, përqafimi dhe puthja e nënës. Zoti i lartësuar, pas përmendjes së tij si Krijues, na ka bërë me dije dhe kemi mësuar që: Nëna është figura më e dashur, e ëmbël dhe më e përkushtuar në këtë tokë ndaj fëmijës së saj.
Nëna është gruaja që fal, edhe kur shpirti i digjet me zjarrin e botës. Ajo përqafon, edhe kur shpirti i saj është duke u ndjerë, qoftë në varfëri, mall dhe në dhimbje të tjera. Eh, kush ka më të ndjeshëm se shpirti i nënës, kur ajo gjatë procesit të mbajtjes së fëmijës në barkun e saj, e përqafon me dhimbje të lindjes, por sërish, më shumë se askush tjetër, ajo me loçkën e zemrës e do fëmijën e saj, edhe pse fëmija i saj i falë të gjitha këto dhimbje. Ajo e do fëmijën e saj, sepse është Nënë!
Shpirti i gjithë fëmijëve ndihet i plotësuar dhe i përmbushur vetëm kur thërret emrin “nënë”. E ne që nënat tona nuk i kemi, shpirtin e kemi të zbrazur dhe plotësimi i shpirtit tonë ka mbetur i përhumbur në mjegullën e kohës. Ne, sa herë dikush në prani tonë thërret emrin “NËNË”, ndiejmë mall, dashuri dhe në shumë raste, përmallshëm na pikojnë lotët nga sytë tanë!
Por Nëna Salë, një grua fisnike, e dashur, e butë, e qetë dhe e mbushur me këshilla prej një nëne, që falte dhe dhuronte vetëm mirësi. Nëna Salë i mbylli sytë që t’i çelë bashkë me pranverën, t’i çilë në ditën e prillit të thyer dhe të kthyer në dhimbje, por dhimbjet e nënës Salë mjekohen, shërohen vetëm duke e kujtuar, duke kujtuar dritën e fjalëve të saj, duke ia kujtuar fëmijëve të saj përqafimin dhe dashurinë, bukën në magjen e vjetër dhe miellin e paktë në atë magje që shumë herë nëna Salë dhe shumë nënat e tjera e kanë bërë brumin me lot, nga skamja, vështirësia e jetës, nga hallet dhe brengosja për fëmijët e tyre dhe për arritjet dhe rrugën e tyre.
Por vdekja, vrasja e Nënës Salë është një kapitull i dhimbjes. Nëna Salë dhe shumë nënat e tjera nuk e kanë merituar, nuk e kanë merituar kurrë një vdekje të tillë, një vdekje ku drita e jetës së tyre mbyllet nga dora mizore e hienave të ardhura nga lindja e djajve të zinj.
E vdekja nga vdekja ka dallim, jo si proces i vdekjes, por si fund i dhënies së shpirtit. Andaj, nëna Salë ishte e fortë dhe me lehtësi dhe në rrugëtim të dritës së vërtetë, i mbylli sytë, i mbylli sytë në prillin e dhimbjes, në atë ditë ku drita ishte kthyer në lot, nata po rënkonte e mbuluar me pëlhurën e zezë dhe gjëmonte nga dhimbja, ndërsa dita ishte mbyllur në arkivin e saj e heshtur dhe e gjunjëzuar përballë gjakut që po rridhte, por si valë lumi. Ky gjak u kthye në gurë, në shkëmb, në fortësinë për liri të Kosovës.
Nëna Salë i mbylli sytë që sytë e saj të shikojnë tashmë vetëm dritën e vërtetë, dritën e dhuruar nga Zoti i Gjithësisë. Trupi i saj nuk ndien dhimbje, por shndrit si një rreze që na bën dritë të gjithëve, jo vetëm fëmijëve të saj të lindjes, por lindjes së të gjithë fëmijëve nga të gjitha nënat shqiptare.
E di që, më shumë se fëmijët e Nënës Salë, askush nuk mund të ndjejë dhimbje për të, por e gjithë fëmijët shqiptarë ndjejnë dhimbje për nënën e tyre që nuk rron, e nuk e di nëse dhimbjet janë të njëjta, por e di që dhimbjet për të gjitha nënat tona na rëndojnë. Por krenaria e nënës Salë në këtë prill të ftohtë e të mbuluar me mbulesën aq sa të dhimbjes, edhe të krenarisë, po na bën të reflektojmë dhe të kemi dashuri për të gjitha nënat, të cilat jetuan dhe rrojnë me nder.
Nëna Salë i mbylli sytë, por sytë e saj vështrojnë nga qielli rrugën e fëmijëve të saj që dita ditës po e bëjnë krenare me veprat e tyre dhe përkushtimin në dobi të artit, shkencës dhe kombit në veçanti.
Nëna Salë buzëqesh nëpër kohë, kur koha të kthehet në nderim të saj dhe të gjithë të rënëve në altarin e lirisë. Buzëqeshja e saj dhe e të gjithë të rënëve dëgjohet vetëm kur ne jemi të bashkuar dhe ndërtojmë kështjellën e qëndrueshme për të gjitha vajzat, gratë dhe nënat tona.
Nuk ka buzëqeshje aty ku dhimbja përbuzet dhe plagët mohohen, por buzëqeshje ka vetëm aty ku dhimbjet njihen dhe plagët shërohen.
Nëna Salë i mbylli sytë, perdet për fundin e jetës së saj ranë si kurora lulesh. Aty, në mbulesën e bardhë shkruhet “Nderim e lavdi për nënën Salë” dhe për të gjitha nënat që u kthyen në gurë të fortë, ku varret e tyre janë frymëzim për ne, që mendojmë, shkruajmë dhe flasim shqip.
Një lule të kuqe i dhurojmë Nënës Salë, në këtë ditë prilli, por lulja me aromën më të bukur është vetë nëna Salë, e cila i mbylli sytë në këtë botë, që t’i çelë në jetën e përtejme, atje ku sytë e saj shikojnë veç lule mirësie dhe shpirti i saj rron nën aromën e luleve më të bukura dhe të paimagjinueshme nga mendja e këtushme e njerëzimit. Nëna Salë, shpirti juaj qoftë në dritë! Paqe dhe qetësi të përjetshme!
Ngushëllime dhe ndaj dhimbjen me ju, miku im, Xhavit Lipaj