Përgaditi: Dashnim HEBIBI
Shoqatat Kërçovare që veprojnë në Zvicër, nën organizimin e Shoqatës Kulturore Kërçova Zvicër, më datë 25 Mars 2025 në Aarburg, mbajtën një takim të përbashkët ku u diskutua rreth një peticioni të organizuar nga Këshilli Nacional Maqedonas – Zvicër, me moton “Për rikthimin e Ambasadës maqedonase për Maqedonasit”, i cili është organizuar si mbështetje për letrat dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, me disa kërkesa konkrete për përmirësimin e kushteve në Ambasadën Maqedonase në Bernë.
Kërkesat e Peticionit janë:
• Ambasada të udhëhiqet nga profesionistë dhe të diplomuar maqedonas, të cilët do ta përfaqësojnë vendin tonë me nder, dinjitet dhe përkushtim.
• Të garantohet përdorimi i gjuhës maqedonase në të gjitha format e komunikimit me
qytetarët, pa përjashtime.
• Të sigurohet ngritja e flamurit maqedonas në çdo mundësi dhe në të gjitha ngjarjet e rëndësishme.
• Të krijohet bashkëpunim konkret dhe efektiv me shoqatat dhe organizatat
maqedonase, të cilat janë përfaqësuesit e vërtetë të komunitetit tonë.
Për këtë peticion, nënshkrime janë duke u mbledhur në të gjitha festat, koncertet dhe tubimet e rëndësishme të qytetarëve, të organizuara nga shoqatat dhe klubet maqedonase në Zvicër.
REAGIM
Bazuar në këto ndodhi, përfaqësuesit e shoqatave Kërçovare vendosën njëzëri në këtë takim që, si hap i parë, të shpallet një reagim publik ndaj cenimit të të drejtave tona si qytetarë të shtetit të përbashkët të Maqedonisë së Veriut.
Shprehim keqardhje që Këshilli Nacional Maqedonas, bazuar në disa shpifje të përfaqësuesve të organizatës “Gratë Maqedonase në Zvicër”, po tenton të nxisë nacionalizmin maqedonas kundër bashkëqytetarëve shqiptarë, dhe kjo aspak nuk i kontribon bashkëjetesës. Vetë emri i peticionit “Ambasada t’u rikthehet Maqedonasve” është një fyerje e rëndë për shtetasit e Maqedonisë së Veriut që nuk janë të përkatësisë maqedonase. Ambasadat dhe të gjitha institucionet u përkasin qytetarëve të Maqedonisë, pa dallim.
Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut, është absurde të kërkosh vetëm gjuhën maqedonase në komunikim me qytetarët pa përjashtim, kur dihet se e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe është e garantuar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Përfaqësuesit diplomatikë kanë për obligim t’u drejtohen apo t’u përgjigjen qytetarëve të vet në gjuhën që ata flasin.
Duke pasur parasysh faktin që sot në Zvicër jetojnë mbi 100,000 qytetarë nga Maqedonia e Veriut, ku pjesa dërrmuese janë shqiptarë, e njëkohësisht gjenerata e re pa dallim etnie, duke përfshirë edhe maqedonasit e lindur në Zvicër, shpesh nuk flasin gjuhën maqedonase dhe nuk e shkruajnë në shkronja cirilike, ne mendojmë se kërkesat e këtij peticioni për përdorimin ekskluziv të gjuhës maqedonase dhe shkronjave cirilike janë të pabaza dhe të padrejta.”
Prandaj, i bëjmë apel Këshillit Nacional Maqedonas – Zvicër që si model të marrin pikërisht shtetin ku jetojnë, pra Zvicrën, se si funksionojnë shtetet multietnike, ku gjuhët shihen si pasuri kombëtare dhe të reflektojnë për bashkëjetesë.
I apelojmë Këshillit Nacional që të mos nxisë urrejtje dhe të ndalojë fyerjet, duke ndaluar me kërkesa absurde nëpërmjet një peticioni të tillë.
Gjithashtu, kërkojmë nga Ministrisa e Punëve të Jashtme të Maqedonisë që të mos marrë vendime të njëanshme që cenojnë të drejtat tona, sepse do të na detyroni të fillojmë edhe ne peticionin tonë për mbrojtjen e të drejtave tona,
duke potencuar qartë edhe kërkesat tona shtesë ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, e në veçanti deputetit të diasporës që përfaqëson edhe shqiptarët dhe që gjatë gjithë kohës i ka anashkaluar haptas.
Këtë reagim e mbështesin fuqishëm shumica e shoqatave kërçovare që veprojnë në Zvicër, me një numër të madh anëtarësh brenda tyre.
Ky reagim mbështetet fuqimisht nga shoqatat e mëposhtme të Kërçovës që veprojnë në Zvicër:
1. Shoqata Kulturore Kërçova
2. Shoqata Kulturore Kollara
3. Shoqata Humanitare Cërvica
4. Shoqata Humanitare Tuhini
5. Shoqata Humanitare Greshnica
6. Shoqata Humanitare Leshnicë
7. Shoqata Humanitare Shitova
8. Shoqata Humanitare e Fshatit Qafë
9. Shoqata Zajazi
10. Shoqata Baçishtë
11. Shoqata Drogomisht i vogël
12. Fondi Besa Drogomisht i madhë
13. Shoqata Humanitare Zhubrina
14. Fondi Humanitar Llapkin-Doll
15. Shoqata Kastriot Sërbicë
16. Shoqata fsh. Kolibarë
17. Shoqata e Bashkuar Prapadishti