
Nga Dashnim HEBIBI
Në heshtjen e butë të një mëngjesi kosovar, ku toka mban kujtimet e brezave, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, studiues, poet dhe njeri i shpirtit të lartë që jeton e vepron në Zvicër, u gjend para varreve të nënës e babait – me zemër të mbushur mall dhe përulësi të thellë. Ai nuk mund të kthehej në Zvicër pa vizituar atë vend të shenjtë, ku prehen rrënjët e shpirtit të tij.
Me emocione të pashpjegueshme, profesori vendosi disa nga librat e tij poetikë mbi pllakën e ftohtë të varrit — poezi që digjen me zjarr ndjenjash e përflaken me aromë shpirti. I përkulur në heshtje, ai luti që shpirti i prindërve të ndritë në dritën e parajsës, duke falënderuar jetën që i dha forcën të qëndrojë me dinjitet e karakter të plotë, ashtu siç dëshironin edhe ata.

Prof. Lipaj mbeti pa baba në vegjëli, ndërsa nëna, me dashurinë dhe sakrificën e saj, mbajti mbi supe gjithë ngarkesën e prindërimit. Në poezitë e tij, ndër vargje e lot, janë gdhendur kujtimet, dhimbja dhe krenaria — sepse lotët, siç thotë ai vetë, “janë burimi i zemrës dhe i mallit”.
Ai e mban kokën lart, sepse nëna, familjarët dhe bashkëkombasit e tij nuk u përkulën kurrë përballë regjimit të egër të armikut. Ata ruajtën pragun e shtëpisë, nderin dhe tokën, duke e paguar lirinë me jetën e tyre.
Eshte e pamatshme ndjenja kur qëndron pranë varrit të prindërve, por shpirti bardhë i Xhavit Lipajt di t’i përjetojë këto emocione me urtësi e dashuri. Ai e di se kjo jetë është e përkohshme, por kujtimi i prindërve, vlerat dhe mësimet e tyre janë të përjetshme.
Sot, në përulje e reflektim, Prof. Dr. Xhavit Lipaj dëshmon se burrëria dhe dituria janë fryt i rrënjëve të forta familjare. Ai mbetet një shembull i njeriut që, pavarësisht largësisë, kurrë nuk harron origjinën dhe shenjtërinë e prindërve.
Dritë e përjetshme shpirtrave të tyre! /SAM24.info