Nga: Dashnim HEBIBI, Radhime
Radhime, 25 korrik – 2025 – Edhe këtë verë, lypësit nuk mungojnë në plazhet dhe shëtitoret shqiptare. Të pranishëm gjatë ditës nën çadrat e pushuesve dhe në mbrëmje përgjatë shëtitoreve në Vlorë, Durrës, Radhime apo Dhërmi, ata shpesh shfaqen të shtrirë me fëmijë të vegjël pranë – madje edhe me qen që flenë përkrah tyre, si pjesë e një skene që më shumë ngjan me inskenim sesa me nevojë të vërtetë.
Shumë mërgimtarë që kalojnë pushimet në Shqipëri zgjedhin t’u japin ndihmë, por nuk mungojnë ata që e shohin këtë si një dukuri të organizuar, që e ka kthyer lypjen në një profesion. “Nuk i besoj më që janë të varfër. Ka njerëz që shesin fruta, punojnë e përpiqen të fitojnë me djersë. Ata duhen ndihmuar – jo ata që keqpërdorin mëshirën,” thotë një pushuese shqiptare që jeton në Gjermani.
Pamjet e lypësve me fëmijë të vegjël, të shtrirë nëpër rrugë, janë jo vetëm të dhimbshme por edhe shqetësuese, sidomos kur dyshohet se pas tyre mund të fshihet një sistem apo rrjet që përfiton mbi kurrizin e më të pambrojturve.
Askush nuk e mohon se varfëria ekziston – por skamnorët e vërtetë, siç thonë shumë qytetarë, e kanë më të vështirë të shtrijnë dorën. Ndërsa ata që dalin çdo ditë në të njëjtat vende, me të njëjtin skenar, po e shndërrojnë lypjen në një “zeje” të organizuar.
Kjo është një thirrje e hapur për institucionet përgjegjëse: të verifikojnë, të ndërhyjnë dhe të mbrojnë ata që vërtet janë në nevojë.
Nuk është e pranueshme që fëmijët të përdoren si mjete për të ngjallur mëshirë nëpër plazhe turistike. Shqipëria nuk ka nevojë për keqpërdorim të varfërisë – por për dinjitet, zgjidhje dhe drejtësi sociale.
( Foto nga A.E)