Një Ditë për të Nderuar Gruan dhe Diasporën: Promovimi i Librit ‘Gratë Frymëzuese të Diasporës Shqiptare’ nga PhD Dashnim Hebibi në Zvicër”
Në rolin tim si Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Konfederatën Helvetike, pata nderin dhe kënaqësinë të marr pjesë në një ngjarje të veçantë kulturore, ku u promovua vepra në dy vëllime “Gratë Frymëzuese të Diasporës Shqiptare” e autorit të mirënjohur PhD Dashnim Hebibi. Kjo ditë mbetet një dëshmi e gjallë e forcës dhe kontributit të gruas shqiptare në diasporë – një gur themeli i identitetit, kulturës dhe përparimit të mërgatës sonë.

Si përfaqësues diplomatik dhe si qytetar i angazhuar, e ndjeva të domosdoshme të ndaj disa reflektime mbi këtë moment të veçantë, që i kalon kufijtë e një aktiviteti kulturor dhe bëhet një akt mirënjohjeje, dinjiteti dhe frymëzimi për të gjithë ne.
Data 25 maj do të mbahet mend gjatë nga dashamirët e librit dhe nga të gjithë ata që e vlerësojnë gruan, veçanërisht atë të diasporës. Në këtë ditë të veçantë patëm nderin të ishim pjesë e promovimit të librit në dy vëllime me titull “Gratë Frymëzuese të Diasporës Shqiptare – Pjesa e Parë dhe e Dytë”, nga autori tashmë i njohur, PhD Dashnim Hebibi.
Z. Hebibi, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, vjen nga Lugina e Preshevës dhe është njëherazi edhe nip i Maqedonisë së Veriut. Ai është autor i 26 librave, kryesisht të kushtuar mërgatës shqiptare, dhe njihet gjithashtu si gazetar me përvojë shumëvjeçare, duke përfshirë dy vite si korrespondent i Televizionit të Maqedonisë nga Zvicra.

Në vitin 2011, ai është shpërblyer me titullin “Ambasador i Paqes” nga një organizatë ndërkombëtare me seli në Nju Jork, pranë OKB-së – Federata e Paqes Universale, një aleancë globale e udhëheqësve nga fusha të ndryshme, të përkushtuar për ndërtimin e një bote më të drejtë dhe paqësore.

Promovimi i librit u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe madhështore, ku morën pjesë figura të shquara nga diplomacia dhe jeta publike: Ambasadori i Kosovës, Sekretari i Parë i Ambasadës së Shqipërisë, këshilltarë nga ambasada e Shqipërisë, përfaqësues të Konsullatës së Kosovës në Cyrih, kryetarë shoqatash, veprimtarë, shkencëtarë, sportistë, mësues, shkrimtarë, poete dhe dashamirës të librit.
Veçanërisht domethënës ishte fakti që në mesin e të pranishmëve, gratë përbënin shumicën. Promovimi u pasurua me një program artistik dhe u përshkua nga emocione të thella, sidomos në momentin kur u mbajt një minutë heshtje në nder të të gjitha nënave që nuk janë më fizikisht në jetë.

PhD Dashnim Hebibi, me një moderim brilant dhe një prezantim të sinqertë e të fuqishëm, arriti të prekë zemrat e të pranishmëve. Ai u përgëzua për gjithçka dha nga shpirti dhe për përkushtimin e tij të pandalshëm në shërbim të unitetit, paqes dhe vlerave të diasporës. Një vlerësim i veçantë iu bë edhe familjes së tij, e cila ishte e pranishme dhe përçoi vlera të një strukture të shëndoshë familjare.
Z. Hebibi duhet të vazhdojë misionin e tij frymëzues dhe human. I urojmë suksese të tjera në rrugëtimin e tij krijues dhe kombëtar.
SAM24.info