Nga Prof.dr.Xhavit LIPAJ, Zvicër
Në kohën kur fjala është bërë zhurmë dhe premtimi, formë e zbrazët e moralit, njeriu ka harruar peshën e të vërtetës. Fjalët nuk mësojnë më, por fshehin; nuk ndriçojnë, por mjegullojnë. Ky shkrim është një thirrje ndaj kësaj përgjumjeje kolektive, një reflektim mbi gjumin e ndërgjegjes, ku njeriu flet për drejtësi, por hesht para përgjegjësisë.
Ajo kujton se fjala e vërtetë nuk lind nga politika, por nga vetëdija; dhe se zgjimi fillon vetëm kur guxojmë ta dëgjojmë heshtjen e brendshme.
Fjalët boshe, deri kur jemi në gjumë të rëndë
Në amfiteatrin e premtimeve,
njeriu modern reciton skenarin e tij të harruar.
Fjalët, të zbukuruara me etikë të rreme,
rëndojnë më shumë se heshtja që i lind.
Duket sikur mendimi ka vdekur nën duart e vet, se nuk pyet më për të vërtetën,
por për duartrokitjen.
Zëri publik s’është më thirrje,
por jehonë që kthehet tek ai që e lëshon.
Premtimi ka humbur peshën morale
dhe është bërë metafizikë e mashtrimit,
një ritual gjuhësor që e ngroh veten
me zjarrin e iluzionit.
Nëpër fjalime,
njeriu kërkon shpëtim
duke harruar se shpëtimi nuk jepet,
por fitohet përmes zgjuarjes.
Kjo zgjedhje e përhershme e gjumit
eshte zgjedhje e rehatshme e frikës,
se ndërgjegjja kërkon dhimbje,
e dhimbja, ringjallje.
Por kush do të pranojë të ringjallet,
kur më mirë pranohet gjumi i gjatë
i të pavetëdijshmëve të qetë?
Në horizontin e zgjedhjeve,
secili ngrihet me një maskë të dritës,
por askush s’e mban dritën në duar.
Fjalët janë bërë si gurë të lehtë
që nuk prekin më tokën e përgjegjësisë,
se toka është harruar në mjegullën e pushtetit.
Populli i heshtur,
ky shpirt kolektiv që harron veten,
është bërë dëshmitar i lodhjes së së vërtetës.
Ai dëgjon çdo fjalë,
por asnjë nuk i bie më në shpirt.
Zëri i drejtësisë është bërë si një tingull pa ajër, si një lutje pa besimtar.
Dhe në këtë gjumë të rëndë,
ku ëndrrat kanë formën e premtimeve,
dhe premtimet kanë aromën e harresës,
njeriu nuk zgjohet më,
ai vetëm ndryshon pozicionin e fjetjes.
Zgjuarja kërkon përgjegjësi,
e përgjegjësia kërkon karakter.
Dhe karakteri, është ajo mungesë tragjike
që asnjë fjalim nuk mund ta mbulojë.
Në fund, kur çdo fjalë të ketë humbur dritën, kur çdo slogan të kthehet në hi,
do të mbetet vetëm një pyetje e pashlyeshme:
a flisnim sepse besonim,
apo besonim sepse na duhej të flisnim?
(Foto ilustrim)