
Shkruar nga: Sejdi GEGA, Gjenevë
Në përvjetorin e 35-të të një ngjarjeje me peshë historike për komunitetin shqiptar – demonstrata dy-javore nga 19 maji deri më 2 qershor 1990 – më 1 qershor 2025, në Gjenevë të Zvicrës, u mbajt një Akademi Solemne, nën organizimin e Shoqërisë “Lëvizja”.

Ngjarja, e cila shërbeu si një reflektim historik dhe një thirrje për vetëdije kombëtare, mblodhi figura të njohura të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe më gjerë. Ndër pjesëmarrësit e veçantë ishte edhe z. Ueli Leuenberger, një mik i dëshmuar i shqiptarëve dhe ish-politikan zviceran, i cili që nga vitet ’80 ka qenë zë i palëkundur në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.
Në fjalën e tij, z. Leuenberger ndau përvojat e tij me komunitetin shqiptar ndër dekada dhe ofroi një analizë të matur për zhvillimet aktuale ndërkombëtare. Ai ka jetuar nga afër vuajtjet e shqiptarëve dhe ka qenë mbështetës i vazhdueshëm i çështjes sonë në instanca politike dhe publike zvicerane.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer, Shoqëria “Lëvizja” – Dega në Zvicër, i ndau një Mirënjohje të veçantë, si shprehje falënderimi për mbështetjen e tij ndaj komunitetit shqiptar në përgjithësi, dhe atij në Gjenevë në veçanti.

Z. Leuenberger mbajti edhe një fjalë rasti, të cilën ai vetë e ka ofruar në formë të shkruar dhe të pandryshuar, në gjuhën frënge dhe shqipe, për qëllime arkivimi dhe shpërndarjeje digjitale. Ky material do të prezantohet në formë fotografike, si pjesë e dokumentimit të kësaj ngjarjeje historike.

SAM24.info