/ Nga: Dashnim HEBIBI /
Luzern, 14 qershor, 2025 – Në një fundjavë të zakonshme për shumëkënd, por të jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në Zvicër, u zhvillua një takim i mbushur me ngrohtësi, respekt dhe reflektim të vlerave kombëtare, njerëzore dhe shoqërore. Një ngjarje ku përfaqësues të komunitetit shqiptar, personalitete nga fusha të ndryshme dhe mysafirë të nderuar u mblodhën për të ndarë mendime, përvoja dhe për të forcuar më tej lidhjet e miqësisë. Ky takim u përshkrua me fjalët më të mira nga z. Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore – si një dëshmi që takimet me njerëz të mirë lënë gjurmë të thella në kujtesë.
Takim në frymën e respektit dhe miqësisë
Si zakonisht, kur takohemi me njerëz të mirë, koha kalon shpejt dhe bisedat marrin vlerë. Sot u mblodhëm në një atmosferë të këndshme shoqërore, për të ndarë mendime, përvoja dhe momente të bukura.
Na nderoi me praninë e tij Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, z. Rexhep Demiri dhe mysafiri i veçantë Faton Zylbehari – ish-zëdhënësi i parë shqiptar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe drejtues i PR & Komunikimit në klubin “Shkëndija”.
Në mesin tonë ishin gjithashtu miq të nderuar si:
PhD. Dashnim Hebibi, kryeredaktor i sam24.info, kryetari i xhamisë “Drita” në Luzern Fadil Asani, afaristi Avni Mustafa, kryetari i Rrjetit të Miqësisë Meti Krasniqi, si dhe Rejhan Gashi, Nadi Zendeli, Afrim Memeti, Metin Alimi, Mefail Asani, Refik Azizi dhe Vatoni.
Faleminderit të gjithëve për prezencën, për bisedat dhe për frymën pozitive që u ndje në çdo moment. Takime të tilla janë një dëshmi e lidhjeve të forta që kemi ndërtuar me kalimin e kohës.
#Miqësi #Respekt #Bashkë
Kështu e përshkroi takimin z. Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore.
Ambasadori Demiri – shembull i përkushtimit dhe modestisë
E shtuna dhe e diela për Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesinë e Tij Rexhep Demiri, nuk janë ditë vikendi – për të gjithë është e qartë se për të, këto janë ditë të mbushura me angazhime dhe takime të rëndësishme. Dhe aty ku është Ambasadori Demiri, gjithmonë ka rezultate pozitive. Ai reflekton rrezatim, frymëzim dhe një modestinë të jashtëzakonshme që lë mbresa të thella te secili që e takon.
Kësaj here, patëm rastin të jemi në një takim në Luzern, ku një bashkëkombëse e jona mbrojti titullin e masterit – një moment krenarie për të gjithë. Pas vetëm një ore, Ambasadori u shfaq në një tjetër takim, ku të rinjtë diskutonin për sportin dhe të ardhmen. Në këtë aktivitet të organizuar nga z. Florim, ishin të pranishëm disa afaristë, sportdashës dhe bamirës – të gjithë për të nderuar një personalitet të ardhur nga Maqedonia e Veriut për një vizitë pune: z. Faton Zylbehari.
- Zylbehari ishte mirënjohës për këtë takim të ngrohtë dhe falënderoi mërgatën shqiptare për kontributin e vazhdueshëm në të gjitha fushat, përfshirë edhe sportin. Ai veçoi rolin dhe mbështetjen e madhe që ka dhënë dhe vazhdon të japë filantropi Lazim Destani për klubin “Shkëndija” dhe për sportin në përgjithësi.
- Zylbehari shprehu shpresën që në të ardhmen më shumë futbollistë nga mërgata shqiptare t’i bashkohen klubeve të Maqedonisë së Veriut, përfshirë “Shkëndijën”, dhe pse jo – të shohim edhe më shumë lojtarë shqiptarë në Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, ku edhe sot gjysma e përbërjes ka prejardhje shqiptare.
Ambasadori Rexhep Demiri, në fjalën e tij, theksoi kontributin e jashtëzakonshëm të mërgatës dhe nuk e la pa përmendur edhe sportin – në veçanti futbollin. Ai tregoi se ka takuar shumë talentë në Zvicër dhe se pret që ata një ditë të jenë përfaqësues të denjë të sportit edhe në Maqedoninë e Veriut.
Takimi zgjati më shumë se një orë dhe ishte përplot atmosferë të përzemërt. Raportet mes mërgatës dhe atdheut nuk do të humbin kurrë – përkundrazi, po forcohen dita-ditës. Mërgata shqiptare mbetet një urë e fuqishme humane dhe kombëtare, që gjithmonë vepron me zemër për paqe, zhvillim dhe mirësi në trojet shqiptare.
Ky takim ishte një tjetër dëshmi se kur përfaqësues të diasporës, institucioneve dhe komunitetit bashkohen me qëllime të mira, atëherë çdo bisedë ka peshë dhe çdo moment lë gjurmë. Bashkë, në respekt, në miqësi dhe në shërbim të kombit – ashtu siç e meriton historia dhe e ardhmja jonë./SAM24.info