Me ftesë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në edicionin e 20-të jubilar të Forumit Strategjik të Bledit, që mbahet më 1 dhe 2 shtator 2025, me temën “Një botë e pakontrolluar” (A Runaway World).
Sipas njoftimit të MPJD-së, forumi i Bledit mbetet një platformë e rëndësishme globale për debatin rreth sfidave të sigurisë, zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Në kuadër të tij, Ministrja Gërvalla do të jetë folëse në një nga sesionet qendrore, ku do të prezantojë vizionin e Republikës së Kosovës për forcimin e multilateralizmit dhe ndërtimin e besimit në një kohë të pasigurt globale.
Në fjalën e saj, ajo do të theksojë arritjet e Kosovës në proceset euroatlantike, përparimin në sundimin e ligjit dhe zhvillimin demokratik e ekonomik, duke e pozicionuar Kosovën si një partner të besueshëm dhe aktiv në arenën ndërkombëtare.
Gjatë forumit, Ministrja Gërvalla do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të vendeve pjesëmarrëse, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe aktorë të shoqërisë civile, me synim forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës. /BS