Thellim i bashkëpunimit ushtarak dhe mbështetje për integrimet euroatlantike
Prishtinë, 8 korrik 2025 – Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në një takim zyrtar Kancelarin Federal dhe ministrin e Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit të Zvicrës, Martin Pfister, i shoqëruar nga një delegacion i lartë zviceran.
Takimi u fokusua në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me theks të veçantë në trajnimin dhe edukimin ushtarak. Të dy palët vlerësuan se shkëmbimi i përvojave dhe programeve të përbashkëta trajnimi do të kontribuojë në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe në forcimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri Maqedonci e informoi homologun zviceran për zhvillimet dhe arritjet e FSK-së gjatë viteve të fundit, duke theksuar profesionalizmin në rritje dhe përkushtimin ndaj standardeve ndërkombëtare të sigurisë. Në këtë kontekst, ai nënvizoi rëndësinë strategjike të integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike, veçanërisht në Bashkimin Evropian dhe NATO, si garanci për një rajon më të qëndrueshëm dhe të sigurt.
Gjatë takimit u vu në pah edhe roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare në Zvicër, të cilën ministri Maqedonci e cilësoi si një urë lidhëse të fuqishme mes dy vendeve, me ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Të dy ministrat konfirmuan përkushtimin e ndërsjellë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e partneritetit për paqe, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm.
SAM24.info