
Nga: Hamzë Morina, veteran i arsimit në atdhe dhe kurbet
Daut Ahmetaj nga Isniqi i Deçanit, bashkë me shumë kolegë i dhanë zë të fortë dijes në Anadrininë tonë nga vitet e 60- ta. Këto vite ai po përmbyll shekullin jetësor duke ruajtur vitalitetin fizik dhe kujtesën e kthjellët për të cilën po e lakmojmë edhe ne ish- nxënësit e tij, tashmë në pension.
Sot, me dajën tim Zenel Berishën takuam sërish në shtëpinë e tij mësuesin Daut në fshatin e tij legjendar Isniq të Deçanit, i cili na priti krahëhapur me bujarinë e hershme bashkë me bashkëshorten e tij fisnike, me po aq dashuri e dëshirë, siç na mësonte dikur në Ratkovc të Drinisë ekuacionet me dy të panjohura.

Po vështroja foton e tij të viteve të 60 -ta me sytë zjarr kur na drejtohej me qartësinë e tij të plotë dhe na shëndrronte matematikën në lojë për të na bërë të kuptueshme e të lehtë.
Tashmë ështe në prag të shekullit të tij jetësor dhe ende ruan vitalitetin shpirtëror, gazin dhe humorin, ashtu siç mbante dikur edhe qëndrim serioz në mësim e punë.
Që nga atëherë, ne ish -nxênësit e tij, ruajmë respektin ndaj tij dhe vazhdojmë bisedën sikur të kishim qenë kolegë të kahershëm, anipse dallojmë dukshëm në moshë.
Kujtesa e tij e kthjelltë gjithmonë na habit, sidomos kur lëshohet në rrëfimet e sinqerta për të kaluarën në retrospektivë.
Unë dhe Zenel Berisha, sot ishim të privilegjuar të dëgjonim këto rrëfime të mësuesit tonë të viteve të 60-ta për Drininë. Ai kujtonte me emër e mbiemër, jo vetëm nxënësit e tij po edhe prindërit dhe familjarët e tyre, të cilët i kishte respektuar shumë po edhe ata e kishin dashur.

U ndamë me mësuesin Daut dhe bashkëshorten e tij duke u dëshiruar shëndet e gêzime edhe në këtë moshë dhe u mahnitëm me shpirtin e tyre të madh si gjithmonë, duke i falënderuar për krejt mundin që kishin derdhur për të edukuar dhe arsimuar gjeneratat që me fuqinë e shpirtit të tyre sollēn Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Mësuesi Daut dhe gjenerata e tij me dijen që dhanë, janë pjesë e vlerës së kësaj Lirie sepse ishin frymëzuesit e devotshëm në tërë shekullin e tyre jetësor.
Po, mësuesi Daut është misionar i dijes në këtë shekull dhe meriton titullin kalorës i lirisë bashkë me gjeneratën, qoftë i nderuar përjetë!
SAM24.info